Interpoli refuzon të shpall fletarrest ndërkombëtar
Edhe pse shefja e sektorit për krim të organizuar, Vilma Ruskoska ka kërkuar dy muaj më parë që të shpallet fletarrest ndërkombëtar, emri i Gruevskit nuk është në listën e personave që po kërkohen.
“Unë nëpërmjet policisë kërkova që të shpallet fletarrest vendor dhe ndërkombëtar, por informatat e fundit nga Interpol-Maqedoni thonë se selia e Interpolit po refuzon ta publikoj fletarrestin.” -deklaroi Vilma Ruskoska, shefe e Sektorit për krim të organizuar.
Shpjegim nga Interpoli nuk ka, e Ruskoska thotë që njësoj kanë vepruar edhe për pesë persona tjerë që po hetohen për të njëjtat vepra. Për ata është pranuar kërkesa për lëshimin e feltarrestit ndërkombëtar, por jo edhe për Gruevskin dhe Boshkovskin.
Po zvarritet edhe hetimi për ikjen e ish-kryeministrit. Të hënën ka arritur dokumentacioni nga Shqipëria, por aty nuk ka video materiale.
“Kemi pranuar dokumentacion nga Republika e Shqipërisë, por jo video-materiale. Personalisht unë ende nuk e kam lexuar sepse e kemi pranuar të hënë.”
Prokuroja Ruskoska u përgjigj në këto pyetje në debatin e organizuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nga ku dërgoi mesazh se funksionarët duhet të dënohen më rëndë se qytetarët, sepse ata duhet ta zbatojnë ligjin. /Furkan Saliu/