Tani për tani nuk ka listë të saktë, cilat nga përmendoret në kryeqytet, pjesë e projektit Shkupi 2014, do të marrin emërim- simbol i kulturës helene dhe botërore. Marrëveshja e Prespës me Greqinë, parashikon afat prej 6 muajsh, nga momenti i hyrjes në fuqi, për emërim të përmendoreve, mes të cilave edhe gjigandi “Luftëtari në kalë”, i cili më në fund do ta marrë emrin Leka i Madh, heroi i kulturës greke.
Duket nga të gjitha anët, dhe zë pjesë të madhe të sheshit qendror në Shkup. Skulptura 15 metërshe e quajtur “Luftëtari në kalë”, më në fund do të marrë emrin e vërtetë, gjërësisht i përdorur si “sekret publik”, për heroin e historisë antike, Lekën e Madh. Por në mbishkrimin që duhet të vendoset në këtë dhe në një sërë përmendore tjera të projektit kontrovers “Shkupi 2014”, do të figurojë se ai ështe hero i kulturës antike greke dhe trashëgimisë botërore.
“Ky proces është në rrjedhë e sipër, afati është 6 muaj sipas Marrëveshjes së Prespës, komisioni do të vërtetojë cilat janë ato. Disa janë pjesë e qendrës në Shkup, Luftëtari në Kal do të jetë Leka i Madh, ai që në të vërtetë është, por ende nuk e kemi listën. Kur ky komision historik do të vërtetojë cilat janë përmendoret, listën në tërësi, cilat do të marrin mbishkrim se janë pjesë e historisë greke, trashëgimi e tërë botës, do t’ju informojmë.” deklaroi Mile Boshnjakovski, Zëdhënësi i Qeverisë së RMV-së.
Pyetja për zëdhënësin e qeverisë vijoi pasiqë dje kryeministri grek Aleksis Cipras në konferencë të përbashkët për shtyp me nikoqirin e tij, kryeministrin Zoran Zaev në Shkup, përkujtoi në këtë obligim nga Marrëveshja e Prespës:
“Përmendoret që kanë të bëjnë me Maqedoninë Antike dhe vendosja e tyre, emërimi specifik dhe ndryshimi i tyre do të duhet të qartësojnë njëherë e mirë se ato janë pjesë e së kaluarës antike greke dhe kulturës greke, e cila është në fakt kulturë botërore.” –shprehet Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë.
Sipas Cipras, me këto hapa gradualisht do të krijohet klimë më e mirë midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi u zgjidh problemi kryesor që i bllokonte marrëdheniet me dekada-çështja e përdorimit të emrit Maqedoni. Qeveria e mëparshme në Maqedoni, e udhëhequr nga kryeministri në arrati Nikolla Gruevski, në qendër të Shkupit ndërtoi qindra përmendore dhe ndërtesa të stilit neoklasik, të cilat përkujtojnë shumë në arkitekturën greke, duke sugjeruar vazhdimësi të identitetit maqedonas me atë të maqedonasve antikë. Por kjo politikë edhe më shumë e thelloi armiqësine midis Maqedonisë dhe Greqisë, dhe i dha argumente shtesë Athinës zyrtare për vendosjen e vetos për kyçjen e vendit në NATO, e hequr qershorin e vitit të kaluar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. /Biljana Georgievska/