close

PETRONIJEVIQ: NUK PRES QË SHKUPI TA DORËZOJË MORINËN

Epilogu për ish-veteranin e uçk-së – javën që vjen


Gjykata Penale në Shkup ka refuzuar një kërkesë të Zëvendëskryeministrit Bujar Osmani për të vizituar në burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjakovarin Tomorr Morina, i cili u ndalua ditë më parë në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Interpoli. Ndërkohë, fillim-javën e ardhshme pritet që Ministria e Drejtësisë t’i përgjigjet zyrtarisht kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij. Televizioni Klan mëson se gjasat janë shumë të pakta që Beogradit t’i plotësohet një kërkesë e këtillë.

Ndalimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomorr Morina, nga policia e Maqedonisë së Veriut, ka vënë në pozitë aspak të lehtë drejtësinë e Shkupit. Menjëherë pas ndalimit, Ministria serbe e Drejtësisë kërkoi ekstradimin e tij, pasi ai dyshohet për implikim në ato që Beogradi i quan  krime lufte në rajonin e Gjakovës në vitin 1999, ndërkohë që Ministria e Jashtme e Kosovës kërkoi lirimin e menjëhershëm të Morinës: “Nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tanë bazuar në fletarrestet e lëshuara nga Beogradi. Kjo është vijë e kuqe për Kosovën,”- ishte reagimi i kryediplomatit Behgjet Pacolli. Fitohet përshtypja se kërkesa për ekstradim do të ketë fatin e shumë fletarresteve të tjera, të lëshuara edhe për figurat më të shquara të jetës politike kosovare, që ndonëse fillimisht u ndaluan, në vende të tjera, megjithatë nuk iu dorëzuan organeve serbe. Edhe avokati i njohur serb, Goran Petronijeviq, ka deklaruar në Televizionin e Beogradit se nuk është optimist për dorëzimin e Tomorr Morinës:

‘Është një situatë tepër specifike në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut, duke marrë parasysh strukturën kombëtare të këtij shteti dhe sidomos strukturën e pushtetit që mbështet kryeministrin Zoran Zaev dhe këta janë para së gjithash shqiptarët. Gjasët më të mëdha janë se kërkesa e Serbisë për dorëzimin e Morinës do të refuzohet,’ – parashikon avokati nga Beogradi,  Goran Petronijeviq.

Ndërkohë, këtë javë Gjykata Penale në Shkup refuzoi një kërkesë të Zëvendëskryeministrit Bujar Osmani dhe të Zëvendësministrit të Brendshëm Agim Nuhiu,  që të vizitojnë në burg shtetasin e ndaluar kosovar me arsyetimin se postet që ata i ushtrojnë nuk lejojnë vizitat e të arrestuarëve. Pavarësisht kësaj, televizioni Klan mëson se ka shumë pak gjasë, për të mos thënë fare, që ish-pjesëtari i UÇK-së t’i dorëzohet Serbisë. Sidoqoftë, vendimi për këtë do dihet javën në të cilën po shkelim. /Klan Macedonia/