close

PLANI 18: OSMANI-KËTË VIT REZULTATE KONKRETE NGA REFORMAT

Zv/Kryeministri takon ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së


Me implementimin e Marrëveshjes së Prespës përmes miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, arritëm t`i mbyllim të gjitha çështjet e hapura politike, duke lënë hapësirë për implementim më të thellë të procesit reformues – ka thënë Zv/Kryeministri Bujar Osmani në takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Maqedoni, para të cilëve ka prezantuar statusin e implementimit të Planit 18.

Siç njoftuan nga Kabineti i tij, Zv/Kryeministri Osmani është prononcuar rreth aktiviteteve që janë realizuar deri më tani nga plani reformues 18, si dhe rreth sfidave për implementimin e mëtutjeshëm.

“Kemi progres serioz praktikisht në të gjitha sferat e Planit 18: në gjyqësor, ku numër i madh ligjesh janë në fazën finale; reforma në shërbimet e sigurisë, ku sistemi i përgjimit tani më është i ndarë në mënyrë adekuate nga sistemi i sigurisë dhe kundërzbulimit; ndërkaq progres ka edhe në aktivitetet e parapara me reformat në administratën publike.”- njoftuan nga kabineti i Zv/Kryeministri Osmani.

Duke shprehur kënaqësi nga realizimi i Planit 18 në të gjitha sferat, Zv/Kryeministri Osmani ka theksuar se ditën e parë të punës këtë vit, u thirr Komiteti i Punës për Integrime Evropiane, ku struktura më e lartë udhëheqëse e gjithë administratës shtetërore referuan për reformat e Planit 18, duke dhënë bindje para ambasadorëve se Plani 18 do të jetë i implementuar në kohë, me qëllim që zbatimi i tij të shënohet në mënyre adekuate në Raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian për vendin.

Në fund Osmani shprehu mirënjohje deri te ambasadorët e vendeve – anëtare të BE-së, për mbështetjen e tyre në procesin reformues, dhe në përgjithësi, integrimeve evropiane të vendit, duke shprehur shpresën se kjo mbështetje do të rezultojë edhe me rezultate konkrete këtë vit, që nga fillimi i negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. /Klan Maqedoni/