Në konkurs nuk paraqitet asnjë kandidat
Çështja e prokurorëve nuk është aktuale vetëm tek ne në Maqedoninë e Veriut, por gjithandej në Ballkanin Perëndimor. Këto ditë, në Mal të Zi kanë dështuar përpjekjet e autoriteteve që përmes konkurist të zgjedhin Prokurorin Suprem të Shtetit për shkak se në të – nuk ishte paraqitur asnjë kandidat. Arsyet janë të natyrës politike dhe rezultat i mungesës së konsensusit mes mazhorancës e opozitës të cilat për këtë post të rëndësishëm mbajnë qëndrime të kundërta.
Këshilli Prokurorial i Malit të Zi ka bërë të ditur se në konkursin publik të shpallur këtë muaj për zgjedhjen e Prokurorit Suprem të Shtetit, brenda afatit të përcaktuar nuk ishte paraqitur asnjë kandidat. Ekspertët thonë se arsye për dështimin e përpjekje mund të jetë bindja e njerëzve se posti nuk është aq shumë çështje e profesionit, sa e marrëveshjes politike dhe problemeve të grumbulluara në drejtësinë malazeze. Zdravko Begoviq, kreu i Shoqatës së Avokatëve në Podgoricë i ka thënë Televizionit Shtetëror të Malit të Zi se arsye për këtë është momenti aktual politik nëpër të cilin po kalon vendi:
‘Ajo pse unë konsideroj se askush nga avokatët, juristët, prokurorët dhe gjykatësit me autoritet nuk janë paraqitur në këtë konkurs është fakti se zgjedhja e Prokurorit Suprem të Shtetit në Parlament është tejet i ndërlikuar dhe në momentin dhe ambientin aktual gati se është e pamundur,’- shpjegon juristi i njohur malazez. Rrjedhimisht në skenën e polarizuar politike të Podgoricës, kjo refelktohet njësoj si dhe në Maqedoninë e Veriut apo edhe në Shqipëri, edhe në punën e parlamentit dhe thuaja se është e pamundur marrja e vendimit me shumicën e dy të tretave.
Ekspertët paralajmërojnë se për caktimin e Prokurorit Suprem nevojitet një konsensu i gjerë, ndërkohë që tërheqin vërejtjen se zgjidhje nuk mund të jetë caktimi i një ushtruesi të detyrës.
Në Raportin vjetor të Komisionit Evropian për Malin e Zi thuhet se kjo republikë ish-jugsollave ka shënuar ‘përparim të kufizuar’ në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçmas kur është fjala për disa lloje të krimit e korrupsionit në nivel të lartë, si dhe për sundimin e së drejtës. /Klan Macedoni/