close
Top LajmeVendi

POLLOG: PROJEKT PËR TRAJTIMIN E MBETURINAVE

Screenshot_3

Dogani: Ndahen 500 mijë franga për menaxhimin me mbeturina


Nëntë komuna të rajonit të Pollogut do të përfshihen në projektin e trajtimit të mbeturinave në rajonin e Pollogut. Tani më është prezantuar edhe faza e parë e këtij projekti.

Menaxhimi me mbeturinat dhe deponitë në Pollog ka qenë një temë që gjithmonë ka shqetësuar qytetarët dhe për këtë është vendosur që të themelohet ndërmarrje rajonale për trajtimin e të njëjtave. Në prezantimin e fazës së parë të këtij projekti për menaxhim me mbeturinat, drejtori i NPK ‘Komunalec’ në Gostivar, Isak Lazami deklaroi se për momentin po bëhet selektimi i mbeturinave dhe fizibiliteti i të njëjtave.

‘Sot u bë selektimi dhe studimi i fizibilitetit të mbeturinave nëpërmjet SEKO-s. Natyrisht janë nëntë komuna, por kemi filluar me tre prej tyre, komuna e Bogovinës, Jegunovcës dhe e Tetovës.’ deklaroi Isak Lazami – Drejtor i NPK ‘Komunalec’ – Gostivar.

Ekspertja e riciklimit të mbeturinave Aleksandra Zec theksoi se ky projekt do të eci hap pas hapi dhe ka për qëllim përhapjen e zhvillimit teknik të mjeteve të riciklimit në vend.

‘Fillimisht i mbledhim mbeturinat dhe pas selektimit i hedhim në vende të caktuara, p.sh diku mbeturinat e xhamit, diku të plastikës dhe ato të metalit dhe të njëjtat reciklohen në mënyrë organike. Me këtë projekt duam të përhapin zhvillimin teknik të riciklimit edhe këtu.-tha Aleksandra Zec – Eksperte e Riciklimit të Mbeturinave.

Sipas përfaqësuesit të komunës së Gostivarit, Besim Dogani për këtë projekt janë ndarë gjithësej 500 mijë franga, një pjesë e të cilave do të investohen në deponinë Rusino.

‘500 mijë franga buxhet prej të cilave 250 mijë franga do të investohen në sanimin e deponisë Rusino, 50 mijë franga do të shfrytëzohen nga SEKO-ja për fushatën sensibilizuese rreth riciklimit të mbeturinave, 200 mijë frangat e tjera do t’i jepen ndërmarrjeve komunale të komunave të Pollogut.’ shprehet Besim Dogani –Përfaqësues i Komunës së Gostivarit.

Ndërmarrja rajonale për trajtimin e mbeturinave e cila është me seli në Gostivar parashihet të ketë nëntë të punësuar prej të cilëve një pjesë do të jenë në administratë dhe pjesa tjetër do të punojë në terren në deponinë Rusino të Gostivarit, në të cilën do të vendoset kandari matës dhe një pikë kontrolluese e mbeturinave që futen dhe largohen. /Blerona Jakupi/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia