close

POLONI: SAMITI I VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Samiti i gjashtë i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit do të mbahet më 4 dhe 5 Korrik në Poznanj të Polonisë, kurse në qendër të vëmendjes do të jenë ekonomia, lidhjet, siguria dhe shoqëria civile. Procesi i Berlinit është një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane Angela Merkel, e ngritur në vitin 2014 me qëllim që të përkrahet ardhmëria paqësore, stabile dhe demokratike e Ballkanit Perëndimor si dhe të bëhet progresi i bashkëpunimit rajonal dhe eurointegrimi i rajonit.

Krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, në këtë samit do të marrin pjesë edhe partnerët e BE-së, Gjermania, Franca, Italia, Austria, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Bullgaria, Britania e Madhe dhe nikoqirja Polonia.

Ngjarja kryesore do të jetë takimi i shefave të shteteve apo qeverive, derisa paraprakisht do të takohen ministrat e Ekonomisë, Punëve të Brendshme dhe të Jashtme të vendeve anëtare.

Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë edhe Komisioneri për zgjerim Johanes Han, Sekretarja e Përgjithsme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal Majlinda Bregu dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim Hoze Angel Gurria.

Takimi mbahet në Poznanj të Polonisë për shkak se me Procesin e Berlinit momentalisht kryeson Polonia, e cila si prioritete ka ndarë, ekonominë, bashkëpunimin kulturor dhe të sigurisë, bashkëpunim e shoqërisë civile dhe të rinjve, zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe të transportit e të tjera.

Mes tjerash liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e BE-së do të punojnë edhe në progresin e bashkëpunimit politik me qëllim të zgjidhjes së problemeve, përforcimit të stabilitetit ekonomik dhe rritjes së bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë. Një nga temat do të jetë edhe dialogu Kosovë-Serbi. Organizatorët e Samitit kanë theksuar se pritjet e tyre janë që nga ky takim t`i dërgohen sinjale Ballkanit Perëndimor se zgjerimi i BE-së ende është në tavolinë.

Në deklaratën në prag të Samitit në Poznanj, kancelarja gjermane Angela Merkel ka theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane nëse përmbushin të gjitha kushtet për anëtarësim në BE, por edhe se në rajon ka ende shumë tensione që duhet të tejkalohen. Merkel ka vlerësuar se zgjidhja e kontestit shumëvjeçar mes Athinës dhe Shkupit është një shembull pozitiv, që duhet të nxisë zgjidhjen e problemeve në Bosnjë-Hercegovinë dhe mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në kuadër të Procesit të Berlinit deri më tani jaë mbajtur pesë samite: Në Berlin më 2014, Vjenë më 2015, Paris më 2016, Triestë më 2017 dhe Londër vitin e kaluar. /Klan Maqedoni & Agjencitë/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!