close

PRESIDENCIALET: ANULOHET TAKIMI ZAEV – SELA

Takimi Zaev-Sela, i cili duhej të mbahej gjatë ditës së sotme, është anuluar. Shkak për këtë siç bëri të ditur kryeministri i vendit Zoran Zaev është se lideri i Aleancës për Shqiptarët është i angazhuar në Komunën e Gostivarit, për disa çështje të caktuara. Por, sic shtoi Kryeministri, ai ka komunikuar me kryetarin Sela dhe për takimin do të dakordohen që ta zhvillojnë një ditë tjetër.

Marrja e ingerencave në arsim të Kryetarit të Komunës së Gostivarit Arben Taravarit, kanë shkaktuar pakënaqësi tek lideri i ASH-së Ziadin Sela. Fillimisht kishte pranuar takimin, por pas informatave për vendimin e Ministrisë së Arsimit, ka refuzuar ftesën e Kryeministrit Zoran Zaev për një takim rreth kandidatit të përbashkët për president. Këtë e ka konfirmuar edhe Kryeministri Zaev. Janë dëgjuar me Selën përmes telefonit.

“Më vjen mirë që u dëgjuam me Selën, me siguri se do të gjejmë mënyrë tjetër të komunikimit që do të konvergjojë tek ky vendim i rëndësishëm. Unë mbetem optimist, nuk mund të them se jam i sigurtë, për shkak se tani pasojnë vendimet e organeve të subjekteve politike, me të cilët u takova dhe do të takohem. Nesër kam takim me Bilall Kasamin e Besës. Unë besoj se do të japim një mesazh se presidenti i ri i vendit të ketë përjegjësi të njëjtë para cdo qytetari.” –deklaroi Kryeministri Zaev.

Ndryshe, kreu i ASH-së Ziadin Sela mbrëmë në një emission debativ në Televizionin publik të vendit i quajti të panevojshme takimet e partnerëve të koalicionit për gjetjen e një kandidati të përbashkët për president. Ai edhe mbrëmë kishte shfaqur dilemma nëse do t’i përgjigjej ftesës së Kryeministrit.

Takimi Zaev – Sela ishte në vazhdën e takimeve mes kryeministrit dhe liderëve të partive shqiptare, për mundësinë e zgjedhjes së një kandidati të përbashkët për president. Zaev tha se është optimist se do të arrijnë në një zgjidhje të përbashkët. /Klan Maqedoni/