Sonte në mesnatë skadon afati për dorëzimin e kandidaturave për President të Maqedonisë së Veriut. Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve deri më tani janë dorëzuar tre kandidatura – Blerim Reka që përkrahet nga opozita shqiptare, Stevo Pendarovski-kandidati i shumicës parlamentare si dhe Gordana Siljanovska – kandidatja e opozitës maqedonase.
Me nënshkrimet e 32 mijë qytetarëve, LSDM-ja ka dorëzuar kandidaturën e Stevo Pendarovskit në KSHZ. Shefi i Shtabit Zgjedhor Aleksandar Kiracovski ka paralajmëruar fushatë të qetë dhe dinjitoze, sic tha, që do ta reflektojë shoqërinë demokratike.
“Stevo është zgjedhja për President i të gjithë qytetarëve, për një Republikë të Maqedonisë së Veriut, stabile, të sigurt dhe përparimtare. Qytetarëve u duhet një president i cili do të bashkojë, që do të punojë me ndershmëri dhe në mënyrë profesionale.” -tha Aleksandar Kiracovski – Shef i Shtabit Zgjedhor.
Gjysmë ore pas LSDM-së, edhe VMRO-DPMNE-ja dorëzoi kandidaturën e Gordana Siljanovska Davkovës në KSHZ. Nga opozita paralajmëruan fushatë evropiane. Në pyetjen e gazetarëve nëse kandidatura është dorëzuar për president të Maqedonisë së Veriut, nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Vlado Misajlovski ka theksuar se është fakt që emri i shtetit është ndryshuar.
“Presim të kemi një fushatë të mirë. Presim që në periudhën e ardhshme të tregojmë një bazë të mirë për një garë të ndershme zgjedhore dhe të fitojë kandidati më i mirë, e kjo është Gordana Siljanovska.”- shprehet Vlado Misajlovski – VMRO-DPMNE.
Para disa ditëve edhe Blerim Reka dorëzoi kandidaturën e tij për President të vendit. Në mesnatën e së enjtes skadon afati për dorëzimin e kandidaturave në KSHZ. Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një reagimi, siç thotë distancohet nga çdo lajm i rremë dhe shpifje se do të përkrah kandidat maqedonas në raundin e dytë.
“Aleanca për Shqiptarët nuk bën pazare politike prapa syve të opinionit as për Zgjedhjet Presidenciale, as për Zgjedhjet Lokale. Qëllimi jonë i vetëm është fitorja e shqiptarëve të sinqertë në të dyja garat që jemi futur.” – theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët
Bashkë me zgjedhjet presidenciale, më 21 prill do të mbahen edhe zgjedhje në tri komuna të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Dibër, Ohër dhe Novoselë. Deri tash dihet se në Dibër do të garojnë dy kandidatët shqiptarë, Arben Agolli nga Aleanca për Shqiptarët dhe Hekuran Duka nga Bashkimi Demokratik për Integrim. /Klan Maqedoni/