close

PRESIDENCIALET: LUFTË PËR VOTAT E REKËS

Pendarovski: Votat e Rekës, kursi i RMV-së pas 5 majit


Stevo Pendarovski, kandidati për president i Maqedonisë, i cili mbrëmë pas raundit të parë të zgjedhjeve pati dallim të vogël të numrit të votave para kandidates së opozitës Gordana Siljanovska, sot sërish u bëri thirrje votuesve të cilët e mbështetën Blerim Rekën, kandidatin e opozitës në bllokun politik shqiptar, të votojnë për të në raundin e dytë. Pendarovski deklaroi se nga ato vota varet çfarë kursi do të ketë Maqedonia në të ardhmen.

Disa herë theksoi se është kundër pazareve politike më vullnetin e votuesve, se vendimi i tyre është individual, por megjithatë mendon se 80-mijë votuesit të cilët dje e mbështetën Blerim Rekën, kandidatin e Aleancës për Shqipëtarët dhe Besës, votat e tyre duhet të rrjedhin në llogarinë e tij, në raundin e dytë të zgjedhjeve, për shkak të bindjes se koncepti i tij politik i realizon aspiratat e tyre.

“Nga ata pres përkrahje në raundin e dytë, dhe u bëj thirrje të dalin të votojnë masivisht. E di se ata e mbështesin vizionin tim për Maqedoni evropiane dhe të integruar përkundër revizionit të gjithçka që arritëm dhe bllokadave që i paralajmëroi Siljanovska… Nga vota e tyre varet çfarë kursi do të ketë Maqedonia pas 5 majit.”-tha Stevo Pendarovski, Kanditat për President.

Në konferencën e sotme të shtypit Pendarovski i cili mbrëmë pas numërimit të votave nuk mund ta fshihte se po gëlltit një kafshatë të hidhur, përkatësisht se është prekur nga dallimi i vogël i numrit të votave para Siljanovkës, e vazhdoi fushatën e tij me bindjen se koncepti i saj politik është anakronik, nacionalist dhe populist, përballë konceptit të tij që është evropian dhe gjithëpërfshirës për bashkësitë etnike në vend. /Klan Maqedoni/