close

PRESIDENCIALET: MARATONA ME SHUMË PIKËPYETJE

Të tre kandidatët nga e hëna në fushatë për vota


Të hënën zyrtarisht fillon fushata për zgjedhjet presidenciale. Në garë janë tre kandidatë: Blerim Reka, Gordana Siljanovska- Davkova dhe Stevo Pendarovski. Sondazhet flasin se gara kryesore zhvillohet mes këtyre dy të fundit dhe ka për të qenë tepër e vështirë. Analistët parashikojnë se ajo do të jetë në shenjë të qëndrimeve të kundërta lidhur me Marrëveshjen e Prespës, ligjin për gjuhët me të cilin edhe shqipja bëhet zyrtare dhe procesin e integrimeve euro-atlantike. Raundi i parë i zgjedhjeve të gjashta presidenciale zhvillohet më 21 prill, ndërsa i dyti – më shtatë maj.

Kandidati i pavarur, Reka, që mbështetet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, e çel fushatën me mitingun në Shkup, Siljanovska-Davkova e VMRO-DPMNE-së në Prilep, ndërsa Pendarovski i LSDM– BDI-së në qytetin e Ohrit. Përpjekjet agjituese për të arkëtuar sa më shumë vota do të vazhdojnë deri të premten e 19 prillit kur hy në fuqi e ashtuquatura heshtje zgjedhore. Çështjet që pritet të dominojnë fushatën janë, pak a shumë, ato që dolën në plan të parë që nga megaskandali i përgjimeve më 2015 e që nisin nga mosfunksionimi i shtetit të së drejtës, mosluftimi i korrupsionit e deri tek Marrëveshja e Prespës, Traktati me Bullgarinë, Ligji për Gjuhët, nxjerrja para drejtësisë dhe dënimi i të implikuarëve në ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në Parlament, apo edhe dallimet e shmangiet në kursin e integrimit euro-atlanti të vendit.

Të gjitha anketat thonë se në balotazh do të gjenden Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova. Kandimi i shqiptarit Blerim Reka, ndërkaq duket se është vetëm në funksion të matjes së takatit partiak mes Bashkimit Demokratik për Integrim, Partisë Alternativa e Partisë Demokratike Shqiptare, nga njëra anë, dhe Aleancës për Shqiptarët e Lëvizjes Besa, nga ana tjetër. Mirëpo, fakti se sondazhet nuk nxjerrin favorit të sigurt, në balotazh, nëse nuk ndodhë ndonjë e papritur, votat e Rekës mund të jenë përcaktuese për presidentin e ardhshëm, të pestin me radhë nga shkëputja e Maqedonisë nga ish-federata jugosllave, në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Rrjedhimisht mbarëvajtja e këtij procesi zgjedhor që do të monitorohet edhe nga vëzhgues ndërkombëtarë, ka për të qenë një ndër treguesit e fuqishëm për optimizmin e pushtetit se në qeshor Republika e Maqedonisë së Veriut do të çel negociatat për aderim me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. /Seladin Xhezairi/