close

PRESIDENCIALET: MICKOSKI-NUK DO T`I BOJKOTOJMË, DO T`I FITOJMË

Sërish përplasje VMRO-LSDM rreth Ligjit për Gjuhët


Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski në intervistën për televizionin ALFA ka bërë të ditur se partia të cilën e drejton nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale duke përsëritur kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“VMRO-DPMNE do të merr pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe do të fitojë në këto zgjedhje, dhe këtu nuk kemi asnjë dilemë dhe as që do të kemi. Ne gjithashtu kemi kërkuar edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak se kemi një parlament ku të zgjedhurit e popullit, mbrohen nga populli me anët policisë”tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO – DPMNE-së.

Publikimin në Gazetën Zyrtare të Ligjit për Gjuhët dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, kreu i opozitës e quajti të jashtëligjshme, duke shtuar se Kryeministri Zoran Zaev dhe Kryeparlamentari Talat Xhaferi kanë kryer “atentat” ndaj Maqedonisë.

“Para Gjykatës Kushtetuese si parti politike do të ngrejmë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe njëkohësisht u bëmë thirrje të gjitha institucioneve pa marrë parasysh nëse janë në nivel qendror apo lokal, ta bojkotojnë e ta injorojnë operacionalizimin e këtij ligji në punën e tyre”- deklaroi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO – DPMNE-së.

Kanë reaguar nga LSDM-ja. Socialdemokratët përmes një komunikate kanë theksuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve është konform kushtetutës dhe është një kontribut serioz në ndërtimin e konceptit “një shoqëri për të gjithë”.

“LSDM-ja u përcaktua për politika që i japin fund ndasive dhe ndërtojnë Maqedoninë si shtet qytetar ku të gjithë do të jetojnë në të. Me përparimin e të drejtave për përdorimin e gjuhëve, askush nuk humb, por mundësohen kushtet për komunikim më të mirë mes qytetarëve dhe institucioneve.”- kanë reaguar nga LSDM-ja.

Nga LSDM-ja gjithahstu kanë theksuar se VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe lideri i saj Mickoski nuk kanë arritur ta bllokojnë anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO, duke akuzuar drejtuesit e kësaj partie se ende janë duke marrë urdhëra nga Budapesti, duke aluduar në ish-Kryeministrin Gruevski. /Klan Maqedoni/