close

PRESIDENTI SERB DHE ‘VËLLEZËRIT KINEZË’

Këtë fillimvit, në qytetin bregdetar kroat të Dubrovnikut, kryeministri i Kinës Li Keqiang takoi udhëheqësit nga Evropa Qendrore dhe Lindore për të diskutuar investimet kineze në 16 vende të rajonit. Evropa Lindore luan një rol kyç në infrastrukturën dhe projektin “Rruga e Mëndafshit”, i cili vlerësohet deri në 1 trilion dollarë dhe ka për qëllim ndërtimin e lidhjeve tokësore dhe detare për të lejuar eksportet kineze të lëvizin drejt perëndimit. Pekini me këtë projekt përmes një rrjeti portesh, hekurudhash, rrugësh dhe parqeve industriale synon vendosjen e lidhjeve Evropë, Azi dhe Afrikë. Serbia ndërkaq po shndërrohet në partnerin kryesor gjithpërfshirës të Kinës në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e fsheh se këndellja ekonomike në vendin e tij është arritur falë kapitalit kinez.

Njësoj si në kohën e Enver Hoxhës, në vitet 70-të të shekullit të kaluar, sot, edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kur flet për Kinën përdor togfjalëshin ‘vëllezërit kinezë’. Si Tirana zyrtare, atëbotë, po kështu edhe Beogradi zyrtar, aktualisht, nuk e fshehin se këtë ‘vëllazëri’ e mbajnë, sikurse do të thoshte Kristo Floqi, ‘për interes’: Vuçiq u shpreh se falë ndërhyrjes së presidentit kinez Xi Jinping, Serbia ia doli të rivitalizojë hekuranën në qytetin e Smederevës, minierat në Bor, ndërsa kapitali kinez është i pranishëm edhe në realizimin e një varg projektesh serioze infrastrukturore. Llogaritet se vlera e kontratave të projekteve të ndërmarrjeve kineze në Serbi ka tejkaluar shumën prej pesë miliardë dollarësh, prej të cilave tashmë janë realizuar rreth dy miliardë dollarë. Në të njëjtë kohë, prania e turistëve nga Kina e largët në Serbi shënon një rritje të vazhdueshme. Vetëm gjatë vitit të kaluar, fjala vjen, në këtë vend kanë qëndruar mbi 100 mijë kinezë. Në këtë mënyrë Serbia është shndërruar në partnerin kryesor gjithpërfshirës të Kinës në Ballkanin Perëndimor.

Ekspertët, ndërkaq tërheqin vërejtjen se nuk është fjala për investime, por për kredi kineze, të afatizuara të cilat do të duhet shlyer. Në të njëjtën kohë rikujtohet se për vënien në jetë të këtyre projekteve është angazhuar krahë pune i ardhur nga Kina dhe pothuajse 80 për qind e mjeteve rikthehen atje. Veç kësaj nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara disa herë ka pasur sinjale për kujdes nga investimet kineze në Ballkanin Perëndimor për shkak të dyshimeve për ushtrim të influencës politike për t’i shndërruar vendet aspirante për në familjen evropiane në atë që quhet ‘kalë troje’. /Klan Macedoni/