Vuçiq asnjë fjalë për krimet serbe në Kosovë
Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO, për shkak se nuk e harron agresionin e Aleancës më 1999. Kështu ka deklaruar presidenti Aleksandar Vuçiq në qytetin e Nishit, në një manifestim përkujtimor për viktimat e sulmeve 78-ditëshe të dhjetë qershorit që çuan në tërheqjen e forcave ushtarako-policore nga Kosova dhe hyrjen e trupave ushtarke ndërkombëtare.
Për gjithë atë që serbët kanë bërë në Kosovë, Presidenti Aleksandar Vuçiq u mjaftua të thotë se janë bërë gabime, por për sulmet e NATO-s mbi vendin e tij, nuk nguroi të thotë se janë krime. Prandaj edhe arsyetoi neutralitetin ushtarak dhe refuzimin që Serbia të bëhet anëtare e Aleancës, duke thënë se serbët duan të jenë zot i vetëvetes:
‘Për këtë kemi gjithnjë e më shumë forcë, gjithnjë e më shumë mundësi, sepse Serbia sot është dhjetëfish më e fuqishme sesa gjatë 1999-tës dhe 20 herë më e fortë se në vitin 2008.’
Duke folur në manifestimin përkujtimor, në qytetin e Nishit, jo larg kufirit me Kosovën, me rastin e 20 vjetorit të sulmeve të NATO-s, presidenti Vuçiq, megjithë kundërshtitë në fjalimin e tij emocional, la hapur mundësinë e vazhdimit të dialogut për çështjen e Kosovës:
‘Të komunikojmë me fjalë e jo përmes hekurit! Duhet të nisemi të përshëndetemi e jo të shikojmë njëri-tjetrin përmes tytave. Duhet të kërkojmë zgjidhje për të evituar plumbat,’– tha presidenti serb.
Sulmet e NATO-s filluan më 24 mars të vitit 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ndërhyrja pasoi dhunën dhe masakrat serbe në Kosovë, refuzimin e Milosheviqit që të nënshkruajë Marrëveshjen e Rambujesë. Bombardimi përfundoi më dhjetë qershor, kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 12/44 që u pasua me largimin e forcave ushtarako-policore serbe dhe me hyrjen në Kosovë të forcave ushtarake ndërkombëtare. /Seladin Xhezairi/