Historiani kroat që shfletoi dosjet e UDB-së
Këto ditë në Zagreb është botuar libri ‘Historia e Goli Otokut’ që hedh dritë mbi fatin e 13 mijë njerëzve të dënuar gjatë prishjes së miqësisë së Titos me Stalinin. Autori i tij, historiani Martin Previshiq, thotë për TV Klan se midis të burgosurve ka pasur edhe rreth 350 shqiptarë.
Këto janë pamjet e njërit prej burgjeve më famëkeqe në botën komuniste – pamjet e Goli Otokut, në Kroaci, në të cilin për një periudhë shtatëvjeçare janë dergjur rreth 13 mijë njerëz. Drejtoria e Sigurimit Shtetëror jugosllav, e njohur si UDB, e kishte ngritur burgun në këtë ishull të zhveshur, në vitin 1949, në kohën e qërrimit të hesapeve të regjimit të Titos me ithtarët e Stalinit duke u dhënë nofkën ‘informbyroistë’. Historiani i ri kroat, Martin Previshiq, është autori i parë që ka shfletuar arkivat e UDB-së, dhe këtë fillim vit ka botuar një libër voluminoz ‘Historia e Goli Otokut’ ku, në mbi 600 faqe, e zbardhë të vërtetën për fatet e hidhura të mijëra njerëzve. Një qërrim i vrazhdët i hesapeve, thotë ai:
‘Ishte i ashpër për shkak se metodat e përdorura në Goli Otok ishin shumë, shumë të rënda dhe tejet jo humane. Njerëzit kanë qenë të detyruar të punojnë edhe gjatë zhegut më të madh, të thejnë e të mbajnë gurë, kanë pasur tri vakte të dobëta, disa filxhanë me ujë në ditë, bënin tri orë gjumë’.
Historiani Previshiq saktëson se atëbotë, në kohën e konfliktit Tito-Stalin, UDB-ja kishte identifikuar mbi 55 mijë e 600 ‘informbyroistë, prej të cilëve ishin burgosur e dënuar 15 mijë e 737. Në kampet e përqëndrimit dhe kazamatet e ndryshme, thotë ai, ishin vrarë 400 njerëz.
Duke folur për TV Klan, Perishiq zbardhë edhe të vërtetën për shumë shqiptarë, nga Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës, të cilët kishin përfunduar në Goli Otok:
‘Unë kam arritur në shifrën prej rreth 350 shqiptarëve të cilët ishin në Goli Otok. Edhe ata janë trajtuar si dhe të gjithë të internuarit e tjerë,’– thotë Martin Previshiq dhe shton:
‘Ajo që është interesante në këtë rast është se nga dosjet e UDB-së, të cilat i kam studiuar, ka pasur shqiptarë të cilët kanë qenë kundër shkëputjes nga Stalini, por edhe kundër prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë. Ka pasur shumë shqiptarë – ithtarë të bashkimit të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, apo edhe mbështetës të Enver Hoxhës’– zbulon historian i ri kroat.
Sipas tij, sa i përket strukturës etnike të të dënuarëve, në burgun e Goli Otokut, më së shumi ka pasur serbë, por edhe malazezë. Në të, përfundon, Martin Previshiq, nuk mbahej aq llogari për përkatësinë kombëtare sesa për atë ideologjike dhe kjo bëri që qërrimi i hesapeve të ishte i pamëshirshëm. /Seladin Xhezairi/