close
Rajoni

PRISHTINA ME PLATFORMË ZYRTARE PËR DIALOG ME SERBINË

330034-ejyaNLVNDt

Ekipi negociator i Kosovës ka dorëzuar të premten platformën për dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Kjo platformë pritet të procedohet edhe në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë pas takimit se platforma thekson qartë se Kosova nga dialogu do të dalë me njohje dhe do të garantojë ulëse në Kombet e Bashkuara dhe integrim në organizatat ndërkombëtare.

Bashkëkryesuesi i Ekipit negociator Shpend Ahmeti, ka thënë se platforma përbëhet nga 11 parime, të cilat përcaktojnë qartë qëndrimin e Republikës së Kosovës, ku përfshihet integriteti territorial dhe ka për rezultat njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Ndërkaq, bashkëkryesuesi tjetër i Ekipit Negociator, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje për unitet shtetëror dhe miratim të kësaj platforme nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë refuzuar të përfshihen në hartimin e platformës për dialogun me Serbinë derisa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë të qartë se vazhdimi i dialogut ndërlidhet me pezullimin e tarifës doganore që u është vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina. /REL/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia