Në shenjë nderimi dhe përkujtimit të legjendës së futbollit të Kosovës dhe ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, organizohet turne përkujtimor me rastin e datëlindjes së legjendës Fadil Vokrri. Në këtë turne do të marrin pjesë veteranë të futbollit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Klan Maqedoni para nisjes për në Prishtinë mori prononcimin e legjendave të futbollit tetovar Ismail Sulejmanit dhe Bekim Osmanit.
“Kjo është një nder për pjesëmarrjen tonë, se ne e dimë kush është Fadil Vokrri, jo veç legjenda e futbollit të Kosovës, por është legjenda e futbollit shqiptar. Përafërsisht naltë-poshtë edhe kam luajtur kundër tij. Me të vërtet është një nder i madh që jemi pjesëmarrës të këtij turniri”-deklaroi Ish-futbollisti Ismail Sulejmani.
“Ka qenë një legjendë e futbollit mbarëshqiptar jo vetëm i Kosovës. Edhe për ne tetovarët që tash jemi veteranë të cilët do të marrim pjesë në atë turnir do t’i bëjmë edhe një nder Fadil Vokrrit”-tha Bekim Osmani ish-futbollist.
Sipas organizatorëve ekipet pjesëmarrëse do të bëjnë homazhe te varri i Legjendës, ndërsa turneu fillon me ndeshjen mes veteranëve të Flamurtarit të Vlorës dhe ato të Tetovës, si dhe veteranët e Prishtinës me Llapin. Finalja e këtij spektakli përkujtimor fillon në orën 20:00. /Shaban Sinani/