Padi penale dhe kërkesë për paraburgim do të parashtrojë Prokuroria Themelore Publike nga Shkupi kundër ish-ushtruesit të detyrës drejtor i Regjistrit qendror, Andrea Popovski, për shkak të dyshimit se i ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare.
Popovski, i cili dje u arrestua, ngarkohet se ka punësuar kuadro partiake. Siç kumtoi sot Prokuroria Publike, Prokuroria themelore publike Shkup solli Urdhër për zbatim të procedurës hetimore kundër pesë personave, prej të cilëve njëri është i dyshuar për vepër penale – Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare nga neni 353 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 nga Kodi penal, përderisa katër të tjerët dyshohen për ndihmë gjatë kryerjes së veprës së njejtë penale.
“Gjatë periudhës prej 16.12.2014 deri më 29.05.2017, i dyshuari i parë, në cilësinë e ushtruesit të detyrës drejtor i Regjistrit qendror, me tejkalim të kufijve të autorizimit të tij zyrtar, gojarisht ka urdhëruar që një e punësuar të evidentohet si rregullisht prezente në punë në listat mujore të cilat i ka përgatitur Sektori për resurse njerëzore, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se e punësuara tërë kohën nuk ka ardhur në punë, por ka qenë e angazhuar për aktivitete partiake të një partie politike.-thuhet mes tjerash në komunikatën e Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut. /Klan Macedoni/