Thirrje për aplikime dhe shfrytëzimin e mjeteve
25 milionë euro në kuadër të dy thirrjeve nga Programi IPARD 2 janë në dispozicion të bujqve – kanë njoftuar nga Agjencia për Përkrahje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim rural. Nga kjo agjenci kanë theksuar se është shumë e rëndësishme që bujqit e Pollogut të marrin informata të sakta, si një rajon me bujqësi të zhvilluar, por edhe me industri përkatëse përpunuese.
“Përkrahja për këtë qëllim është pothuaj 12 milionë euro, që do të thotë në të dyja këto thirrje akro-sektori ynë do të disponojë pothuaj 25 milionë euro. Për këtë arsye të gjithë ne që jemi të përfshirë në këtë proces, presim që të shfrytëzohen maksimalisht përmes aplikimeve të mira që do të thotë zhvillim i tërësishëm i agro-sektorit.” – deklaron Nikolçe Babovski – Drejtor i Agjencisë për Përkrahje Financiare.
Drejtori i Agjencisë për nxitje të zhvillimit të bujqësisë Elgafar Jusufi ka njoftuar se të punësuarit në këtë agjenci vazhdimisht janë në dispozicion të bujqve për këshilla rreth dokumentacionit të nevojshëm dhe mënyrës së aplikimit për mjetet nga IPARD 2.
Kjo punëtori ishte e dyta me radhë dhe kishte për qëllim t’i informojë bujqit dhe të gjithë të interesuarit tjerë rreth rregullave dhe procedurave që duhet të respektohen dhe të ndiqen gjatë kërkesave të përkrahjes nga ky program i BE-së, ku bujqit rikthejnë deri në 50% investimet e tyre. /Lindita Aliu/