close

PROKURORIA: ISH-KREU I VMRO-së ORGANIZATOR I DHUNËS NË KUVEND

Prokuroria e cilëson Nikolla Gruevskin si organizator të 27 prillit, ndërsa Mile Janakieskin dhe Spiro Ristovskin, si bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në këtë rast, që kanë vëzhguar terrenin dhe kanë mobilizuar antarësinë e partisë VMRO DPMNE për të dalë në protesta. Ruskovska nuk deshi të japë më shumë detaje pasi tha që mund ta dëmtojnë hetimin, por ajo shpjegoi se nga hetimet e deritanishme është e qartë se atë ditë Gruevski e kishte vënë të gjithë VMRO-në në funksion. Ruskovska vlerëson se po të mos ishin hapur dyert e Kuvendit, nuk do të ndodhte skenari i 27 prillit.

“I dyshuari N.G si kryetar i atëhershëm i partisë politike, u ka bërë thirrje protestuesve nëpërmjet një mediumi, dhe së bashku me të akuzuarit e tjerë e kanë vendosur në funksion gjithë strukturën partiake dhe mjetet materiale. Kemi siguruar mesazhe, një pjesë e mesazheve janë siguruar ndërsa për një pjesë tjetër po punohet që të sigurohet. Por në gjykatë do t’i dërgojmë të gjitha provat. Gjatë gjithë kohës ka patur koordinim mes atyre dhe komiteteve partiake me direktiva për protesta masive, por edhe për hyrje në Parlament.”  –deklaron Villma Ruskovska, Prokurore.

Në pyetjet e gazetarëve përse u vonua hetimi për organizatorët, Joveski u arsyetua se nuk kishin prova të forta për të dëshmuar fajësinë e tyre. Disa prokurorë kishin shpërndarë lëndët e 27 prillit qëllimisht, dhe nuk kishin bërë hetime kualitative, në mënyrë që të krijohet amulli.

“Kjo është një procedurë tejet e komplikuar. Ne kemi theksuar se kemi problem me sigurimin e provave, pasi që pas ngjarjes, prokurorët nuk kishin bërë analiza sipas ligjit. Ne e dinim që kjo lëndë nuk është e mbyllur, por na duhej më shumë kohë për të mbledhur prova shtesë”  –shprehet Lubomir Joveski, Kryeprokuror.

Në këtë hetim përfshihet edhe ish-shefi i DSK-së Vlladimir Atanasov, i cili për momentin gjendet në paraburgim.

Prokurororja Ruskovska do të bëjë edhe kërkesë të re për ekstradim të Goran Grujovskit, lidhur me këtë vepër, pasi tha se tani më nuk mund të thirret në faljen e presidentit meqë bëhet fjalë për vepër të re.

Gjykata Penale ndërkohë ka dërguar kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit të VMRO-së Trajko Veljanovski, në mënyrë që t’i shqiptohet paraburgimi. Vendimi tashmë ka arritur, dhe pritet të thirret seancë e Komisionit për çështje të mandatit dhe imunitetit, për të sjellë propozim për heqjen e imunitetit të Trajko Veljanovskit.

Pas kësaj pike, propozimi shkon në seancë plenare, dhe vendimi nuk guxon të merret më vone se tre ditë pas dorëzimit të kërkesës. Trajko Veljanovski do të mbetet pa imunitet nëse për votojnë 61 deputetë.

Derisa për Veljanovskin pritet vendimi i Parlamentit, tashmë Spiro Ristovskit dhe Mile Janakieskit u janë shqiptuar nga 30 ditë paraburgim. /Klan Maqedoni/