Rreth 200 mijë persona kanë protestuar në Barcelonë për ta kundërshtuar gjykimin e udhëheqësve katalonas, të cilët kishin bërë përpjekje për ta pavarësuar rajonin e Katalonjës nga Spanja.
Udhëheqësit katalonas po gjykohen në Gjykatën Supreme të Spanjës në Madrid për shkak të organizimit të referendumit për pavarësi dhe përpjekjes së dështuar për t’u shkëputur nga Spanja në tetor të vitit 2017.
Nëse shpallen fajtorë, disa prej tyre mund të dënohen me 25 vjet burgim. Kriza e Katalonias po vlerësohet si kriza më serioze politike që e ka goditur Spanjën që nga vdekja e diktatorit Francisco Franco në vitin 1975, kur vendi kishte hyrë në fazën e tranzicionit në demokraci. /Agjencitë/