close

PSP: BOMAT ‘EL-ÇEKA’ NUK JANË PREJ PSP-së

Prokuroria Speciale Publike sot është kategorike se bombat e publikuara të bisedave të përgjuara telefonike në profilin e fejsbukut “El Çeka”, kryesisht midis funksionarëve të BDI-së, nuk dalin nga arkivi i këtij institucioni. Dje prokurorja Katica Janeva theksoi se nuk është në dijeni kush është burimi i tyre, se disa nga incizimet janë të njëjta me ato të pakos së tyre, dhe se ende janë në fazën e përkthimit. Qeveria nuk komenton asgjë në lidhje me bombat, BDI i vlerëson si biseda private të parëndësishme, kurse publiku mbetet në kureshtje nëse ndonjëra nga bisedat sugjeron keqpërdorim të interesit publik.

Dje Prokurorja Speciale deklaroi se nuk mund të garantojë nëse bombat janë ose jo pjesë e pakos që e posedon PSP-ja, ndërsa sot përmes një njoftimi nga ky institucion pohon se “bombat El-Çeka” nuk janë marrë nga ata.

“Jo, nuk mund të garantojmë asgjë në këtë moment sepse po hetohet, ne i dëgjojmë…”- tha Katica Janeva-PSP

Publiku duhet të jetë i bindur se të gjitha audio-materialet të cilat i posedon kjo prokurori publike ruhen nën procedura sigurie të caktuara në mënyrë strikte, të cilat përfshijnë siguri fizike, administrative dhe informatike të infromacioneve. Gjatë përpunimit veprohet sipas rregulloreve të brendshme për mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve.

Por, zëdhënësi i Qeverisë sot u pyet nëse Qeveria do inicojë procedurë penale, posaçërisht pasi LSDM-ja qeveritare para tre vitesh garantoi se tërë pakon e bisedave të përgjuara joligjërisht të cilën e posedon, ku më vonë disa u bënë bazë për akuza dhe procese gjyqësore, ia ka dorëzuar PSP-së.

“Qeveria nuk do t’i komentojë bombat, institucionet përgjegjëse janë në komunikim me publikun, ndërsa Qeveria mbetet në qëndrimin e MPB-së.”-deklaroi Muhamed Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë.

Javën e kaluar Ministria e Punëve të Brendshme ngriti padi penale me Prokurorinë në Kërçovë, nga ku mendohet të jetë personi që i publikon incizimet e reja, që të parandalohet lëshimi i mëtejshëm në publik i bisedave të përgjuara. Është kërkuar edhe ndihmë ndërkombëtare, pas çka u bllokuan disa nga profilet e tij në fejsbuk. Por një pjesë e ekspertëve e vënë në pikëpyetje këtë procedurë:

“Duhet të kemi qëndrim të përbashkët, ne e miratuam dhe e interpretuam si do të jetë qasja ndaj bisedave të përgjuara, para disa vitesh, gjithashtu edhe sot. Është fakt se trajtimi i bisedave të përgjuara është i ndryshëm, sepse thirret në përgjegjësi penale ai që i ka përcjellur.”- shprehet Nikolla Tupançevski, Profesor.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, dje në fjalim publik, incizimet, në të cilat mendohet se dëgjohet edhe zëri i tij, në biseda me ish-ministra ose funksionarë tjerë partiakë, i krahasoi me “brymë mëngjesi që do të zhduket shpejt”. Por, sipas analistëve partia dëshiron ta marrë vesh prej nga rrjedhin incizimet, dhe me çfarë qëllimi publikohen, edhe pse nga viti 2015 është në fuqi, Ligji për mbrojtje të privatësisë, i cili ndalon posedimin dhe publikimin e incizimeve të cilat burojnë nga ndjekja masive joligjore e komunikimeve nga viti 2008 deri në vitin 2015. /Biljana Georgievska/