close

PSP: SHQETËSIME PËR MATERIALET E PËRGJUARA

Pasiguri për të ardhmen e të punësuarve


Ende nuk kemi marrë njoftim me shkrim nga ana e Prokurorisë Publike që të mund të njoftojmë nëse dhe si do të veprohet me lëndët e kësaj Prokurorie Publike – kanë njoftuar nga Prokuroria Speciale Publike, të publikuar në ueb faqen e tyre. PSP-ja përmes komunikatës ka hapur dilemën për kontrollin e materialeve të përgjuara, nëse deri më 15 Shtator nuk zgjidhet shefi i ri i kësaj prokurorie apo nuk gjendet zgjidhje ligjore.

Komunikata e PSP-së është edhe një konfirmim për situatën kaotike jo vetëm në PSP-në, por edhe për lëndët që i përfaqëson dhe dëshmitë që i posedon. Ekspertët juridikë tashmë kanë paralajmëruar për një kaos të mundshëm me fatin e PSP-së dhe lëndët. Njëkohësisht, siç thuhet në komunikatë, PSP-ja shpreh shqetësimin për shkak të faktit se deri në këtë moment as që është zgjedhur Prokurori Publik që do ta zëvendësojë Janevën, e as që është miratuar një zgjidhje ligjore që do ta rregullonte statusin e kësaj Prokurorie Publike.

“Rikujtojmë se mandati i PSP-së është deri më 15 shtator 2020, deri kur vazhdon marrëdhënia e punës së të punësuarve në Prokurori dhe obligimet e institucionit. Mungesa e rregullativës për atë se çka do të ndodh me të punësuarit, obligimet, arkivat dhe materialet me të cilat disponon Prokuroria, në situatë kur nuk ka një person udhëheqës, do të sjellë probleme reale në realizimin e të drejtës për marrëdhënie pune dhe shlyerjen e obligimeve të institucionit, kurse njëkohësisht do të mungojë kontrolli i zbatimit të procedurave të sigurisë ndaj të gjitha materialeve që janë në dispozicion të Prokurorisë.” –thonë nga PSP-ja.

Kjo komunikatë konfirmon se ekipi i Prokurorëve nuk e vlerëson për valide urdhërin e Prokurores së Posaçme Katica Janeva që lëndët e PSP-së t`i dorëzohen në kompetencë Prokurorisë Publike. Kohë më parë Prokuroria Publike i pranoi lëndët e PSP-së dhe do t`i shpërndajë në Prokuroritë Publike kompetente. Sot, Kryetari i Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës në Gjykatën Supreme, Kiro Zdravev ka deklaruar se të gjitha lëndët e hapura nga PSP-ja, varësisht fazës në të cilën gjenden, duhet të marrin epilog gjyqësor. /Klan Macedoni/