“El Cheka” thotë se posedon mbi 650 “bomba”
“Posedoj më shumë se 650 materiale te përgjuara dhe do t’i publikoj të gjitha… Kështu ka thënë personi i cili identifikohet si El Cheka që po i publikon “bombat” më të reja. Ai thotë se në këtë proces ka hyrë bashkë me anëtarë të Grupit të Kumanovës, dhe çdo publikim është në koordinim me ta.
Në “bombat” e publikuara deri tani, dëgjohet kryesisht zëri i kreut të BDI-së, por ende nuk ka reagim nga kjo parti.
Javën e kaluar, një “bombë” e publikuar e detyroi deputetin Pavle Bogoevski që të jap dorëheqje, ndërsa Kryetari Kuvendit, Talat Xhaferi, tha sot se nuk i pëlqen krahasimi me këtë rast, dhe se nuk dëshiron t’u përgjigjet pyetjeve hipotetike.
Nga ana tjetër, Kryeministri Zoran Zaev, thotë se nuk i ka dëgjuar përgjimet, ndaj nuk e din se a janë ato materiale të njëjtat që ai i ka poseduar.
“Unë për herë të parë po dëgjoj se ka “bomba” të reja, me shumë gjasa për shkak se jam shumë i zënë dhe nuk e di se kur janë publikuar. Duhet ti dëgjoj dhe ta shoh se a janë ato pjesë nga materialet veçmë të publikuara, ose janë materiale të reja. Vetëm të rikujtoj, sipas vlerësimit tim, duke i parë datat e krijimit të materialeve vetëm 1/3 e materialeve kanë qenë në duar tona, me shumë gjasa se e gjithë ajo që është përgjuar ka ra edhe në duar të tjerëve, por e mira është se tanimë ekziston ligj për këtë punë.”- tha Kryeministri, Zoran Zaev.
Nga MPB-ja njoftuan se e kanë zbuluar se kush qëndron pas profilit El Cheka dhe se është kërkuar nga Facebooku që ky profil të bllokohet.
“Është vërtetuar se kush qëndron pas këtij profili nga ku plasohen këto përmbajtje dhe për këtë është njoftuar Prokuroria. Gjithashtu, është njoftuar edhe rrjeti social Facebook respektivisht kompetentët në këtë kompani se përmes servisit të tyre plasohen përmbajtje të jashtëligjshme. Pas zbardhjes së plotë të rastit, MPB-ja do të dorëzojë kallëzim penal kundër kryerësit”. – thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.
Lajmin për zbulimin e tij, El Cheka e ka quajtur marrëzi ngase, sic ka shkruajtur në profiling e tij në FB, ai del publikisht me identitet dhe fotografi personale. /Furkan Saliu/