close

PUSHTETI SERB KUNDËR ULTIMATUMIT TË OPOZITËS

Kryeministrja i quan fashistë drejtuesit e protestave


Protestat e mëdha antiqeveritare në Beograd, të shtunën dhe të dielën, kanë bërë që të rriten tensionet politike në kryeqytetin serb. Presidenti Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk do të lejohet askush të kërcënojë Serbinë me dhunë”, ndërsa i cilësoi si “fashistë” disa nga drejtuesit e opozitës serbe. Hyrja në mjediset e Televizionit Shtetëror Serb, thanë organizatorët e protestave është bërë për shkak të vënies së tij në shërbim të pushtetit dhe përjashtimit të opozitës.

‘Zotërinj në pushtetit, keni afat që deri në orën 15:00, të hënën, të lironi të gjithë të arrestuarit të cilët ishin në ndërtesën e RTS-së!’

Kjo kërkesë e njërit prej drejtuesve të opozitës së përçarë serbe, Boshko Obradoviq, për lirimin e mbi dhjetë protestuesve të ndaluar të cilët hynë pa pengesa në mjediset e televizionit shtetëror serb të kontrolluar nga regjimi i Presidentit Aleksandar Vuçiq, ka hasur në vesh të shurdhur të autoriteteve në Beograd. Për më tepër drejtuesit e opozitës serbe thonë se ata ndërkohë janë dënuar me nga tridhjetë ditë burgim. Kryeministrja Ana Bërnabiq mëngjesin e kësaj të hëne, përjashtoi kategorikisht këtë mundësi:

‘Kush janë ata të vënë afate. Kush janë ata t’i vënë shtetit afat, kush janë saktësisht ata që t’i japin afat shtetit? Njerëz, ekzistojnë ligje, ekzistojnë institucione, ekziston sundimi i së drejtës. Dhe kjo është ajo që është. Nuk ka afate të cilat vjen një fashist të thotë unë u vë afat që ju ta bëni këtë e këtë’ – tha kryeministrija serbe për televizionin proqeveritar Pink. Beogradi zyrtar nuk ka fshehur pezmin për mungesë reagimi të menjëhershëm të diplomatëve perëndimor ndaj hyrjes së protestuesve në Televizionin Shtetëror të Serbisë, ndërkohë që këtë fillimjavë një ndër zëdhënëset e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, bëri thirrje që protestat në Serbi të jenë të qeta dhe brenda ligjit, ashtu sikurse kanë qenë deri para fundjavës së fundit. /Klan Maqedoni/