close

PUTINI E VUÇIQI NUK FTOHEN NË POLONI?

Përvjetori i fillimit të Luftës II Botërore pa Rusinë e Serbinë


Media në Beograd paralajmëron se presidenti Aleksandar Vuçiq nuk është ftuar në shënimin e 80 vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore që pritet të zhvillohet në Poloni. Gazeta Politika shkruan se ftesë për shënimin e këtij jubileu nuk ka marrë as presidenti rus, Vladimir Putin.

Shtypi serb njofton se në adresë të presidenti Aleksandar Vuçiq ende nuk ka mbërritur ndonjë ftesë nga Varshava për të asistuar në shënimin e 80-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore. E përditshmja Politika shkruan se kjo ka për të qenë ngjarja e dytë e rëndësishme ku Serbia nuk përfaqësohet në përputhje me rolin e vet historik dhe statusin e fuqisë fituese. Rikujtohet me këtë rast se në kremtimet e 100-vjetorit të fitores në Luftën e Parë Botërore, më 11 nëntor të vitit të kaluar, Franca e vendosi presidentin e Serbisë, në një rend të dytë, ndërkohë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ul prapa presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Gazeta Politika bën të ditur se nga kabineti i presidentit polka ka marrë konfirmim se thirrje për të asistuar në manifetsimet me rastin e këtij jubileu nuk ka marrë as presidenti rus. Pohohet se presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka vendosur që të ftojë shtetet e Bashkimit Evropian dhe të Partneritetit Lindor: Azerbajxhanin, Armeninë, Bjellorusinë, Gjeorgjinë, Mioldavinë dhe Ukrainën, kurse Rusia nuk bën pjesë në asnjërin prej këtyre organizatave. /Klan Macedoni/