close

QENTË ENDACAK, RAJONI PLANOR NDIHMË GOSTIVARIT

Rritja e numrit të qenve endacak nëpër qytete ka rritur rrezikun që iu kanoset qytetarëve. Duke pasur parasysh rastet e shpeshta të sulmeve nga qentë në Gostivar, Rajoni Planor i Pollogut në bashkëpunim me UNDP i dhuroi kësaj komune një furgon special për bartjen e qenve endacak deri në strehimore.

Qentë endacak janë problem më të cilin ballafaqohen të gjitha komunat e vendit. Rastet e kafshimeve dhe sulmeve nga qentë po rriten nga dita në ditë dhe pamjet nga terreni tregojnë se pak masa janë marrë deri më tani për sigurinë e qytetarëve.
Për t’i ardhur në ndihmë eliminimit të kësaj problematike, Rajoni Planor i Pollogut në bashkëpunim me UNDP, i dhuroi komunës së Gostivarit nje furgon special me të cilin do të bëhet mbledhja e qenve endacak dhe dërgimi i të njejtëve në strehimoren e qenve.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari akuzoi policinë duke theksuar se është ajo që lejon që në Gostivar të sillen qen nga qytetete të tjera dhe për këtë pritet të prononcohet SPB-ja. Krahas kësaj, Taravari deklaroi se situatën e rëndon edhe kontesti pronësoro – juridik në lidhje me strehimoren aktuale të qenve.

Vetëm para ca ditësh në qytetin e Gostivarit u regjistruan 6 kafshime brenda 2 orësh, shifër kjo që flet edhe më tej për situatën alarmante në të cilën qyteti ndodhet. /Blerona Jakupi/