“Bomba” e El Çekës rrit tensionet
Kanë vazhduar përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së rreth rastit të vrasjes së të riut Martin Neshkovski. Çdo gjë filloi me publikimin e një “bombe” në kohëzgjatje prej nëntë minutave nga El Cheka.
“Bomba” e El Chekës për rastin Neshkovski shkaktoi reagime dhe dilema në opinion rreth fshehjes së vrasjes. Nga Budapesti u paraqit edhe ish-Kryeministri Nikola Gruevski duke akuzuar se në vitin 2015 Zaevi me vetëdije ka nxjerrë 9 minuta që, sipas tij, tregojnë se Gruevski dhe Jankullovska nuk kanë tentuar ta mbulojnë vrasjen. Socialdemokratët mbeten në qëndrimin se ish-pushteti është përpjekur ta mbulojë vrasjen e Martin Neshkovskit për shkak të brutalitetit policor dhe se tani po përpiqen që përmes manipulimeve t’i fshehin veprat e tyre.
“Çka tregon incizimi më i gjatë e i publikuar nga biseda mes Gruevskit dhe Jankullovskës. Vetëm se konfirmon atë që opinioni tashmë e ka të qartë. Nikola Gruevski ka detyruar Gordana Jankullovskën që të gënjejë se vrasësi nuk ka qenë pjesë e sigurimit të tij.” -thotë Kostadin Acevski i LSDM-së.
Por nga opozita presin përgjigje nga LSDM-ja se ku është tani vrasësi i Martin Neshkovskit, Igor Spasovi dhe nëse, siç thonë, për shkak të afërsisë me Zaevin i njëjti nuk është duke e vuajtur dënimin me burg në Idrizovë.
“Zoran Zaevi duhet të përgjigjet penalisht për nxitje. Me publikimin e xhirimit integral shihet se manipuluesi i dëshmuar Zaev me vetëdije dhe me qëllim ka dorëzuar xhirim të shkurtuar dhe të montuar për të shkaktuar huti tek qytetarët lidhur me vrasjen e Martin Neshkovskit” -shprehen nga VMRO-DPMNE.
Kryeministri Zoran Zaev ka theksuar se xhirimi prej 3 minutave ka qenë e vetmja që e kanë poseduar për këtë rast dhe se e kanë dorëzuar tek Katica Janeva. Në dhjetor të vitit 2015 tre muaj pas formimit të PSP-së, lënda është marrë nga Prokuroria e rregullt. Por, tashmë katër vite ky rast ende është në procedurë parahetimore dhe nuk ka detaje nga PSP-ja. /Klan Macedoni/