Gjykata administrative e pranoi ankesën e Komunës së Gostivarit lidhur për kompetencat e marra nga Ministria e Arsimit. Me këtë vendim, anulohet vendimi i Ministrisë së Arsimit për marrjen e kompetencave të Taravarit, e ky i fundit menjëherë reagoi në fejsbuk.
“Ministri i “kompetencave” dhe “doktori i shkencave juridike”, sipas gjykatës administrative nuk paska të drejtë për marrjen e kompetencave në arsim në komunën e Gostivarit. I nderuari “docent”, kthe kompetencat, kërko falje publike dhe dorëzo dorëheqje të parevokueshme, jo për mua, po për nxënësit dhe mësimdhënësit në Gostivar, të cilët i torturon tash më 2 vjet! Drejtësia doli në shesh!”-shprehet Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Por si duket kjo situatë me drejtorët, do të vazhdojë edhe mëtej. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, shkroi se vendimi i Gjykatës administrative, nuk do të thotë se veprimet e Taravarit kanë qenë të ligjshme.
“Veprimet e paligjshme dhe shkarkimet e paligjshme të drejtorëve të shkollave nga Kryetari i Komunës së Gostivarit të konstatuara nga Inspektorati i Arsimit dhe Komisioni i shkallës së dytë nuk mund të mbulohen. Në bazë të këtij vendimi, MASH mund të sjellë përsëri vendim të njëjtë apo të parashtroj ankesë në Gjykatën e Lartë Administrative. Ne u përcaktuam për opsionin e dytë dhe në ditën e hënë është dorëzuar ankesa me të gjitha shkresat e lëndës, dhe se sigurisht se drejtësia duhet të shkoj në vend.” thekson ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
Novela me drejtorët po vazhdon që nga ndërrimi i pushtetit në Gostivar, ku opozita e mundi Nevzat Bejtën e BDI-së. Përveç betejës juridike dhe politike, në Gostivar krisi edhe dajaku, e sipas paralajmërimeve nga kryetari i komunës dhe ministri, kjo betej do të vazhdoj ende. /Furkan Saliu/