close
Top LajmeVendi

REAGIME: SPASOV-KËRKESAT, SHKURTPAMËSI POLITIKE

Screenshot_1

Fryrje e zjarrit për nacionalizmin maqedonas


Profesori universitar Gjorgji Spasov, kërkesat e partive opozitare shqiptare për amendamente të reja kushtetuese, i quan “shkurtpamësi politike”. Në një deklaratë për Klan Maqedoni, ai ka sqaruar se me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE do të fitohen mundësi për zgjidhjen e çështjeve, deri më tani, të pazgjidhura, kurse kushtëzimet e votimit në Parlament vështirësojnë mundësitë e eurointegrimeve.

Kërkesat plotësuese të liderëve të partive opozitare shqiptare, Bilall Kasamit dhe Ziadin Selës, pak para votimit për ndryshimet kyçe kushtetuese që dalin nga Marrëveshja me Greqinë, janë joracionale – vlerëson profesori universitar Gjorgji Spasov.

“Për gjithçka që ata kërkojnë ka garanca në Marrëveshjen, tashmë të miratuar të Ohrit, që e kanë nënshkruar dhe ku garantues janë SHBA-të dhe BE-ja. Problematizimi i identitetit shtetëror, që është vetëm një nga shenjat identitare përveç identitetit etnik, është diçka për të cilën mendoj se do t’i fryjë zjarrit të nacionalizmit maqedonas. Dhe mendoj se kjo qasje nuk është e mençur.” – tha Gjorgji Spasov – Analist politik.

Spasov shton se kjo mund të dërgojë edhe një mesazh negativ në fqinjësi, tek kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës.

“Nëse kush do në Maqedoni, konteston madje edhe shenjat identitare që qytetarët i marrin në bazë të përkatësisë së shtetësisë, Republika e Maqedonisë, ose në këtë rast Republika e Maqedonisë së Veriut, si maqedonase, ne atëherë kemi reagime serioze nga ana e tyre. Për shkak se kot ua kemi ofruar shtetësinë maqedonase kur dikush prej tyre këtë nuk e dëshiron.” -shprehet Gjorgji Spasov – Analist politik.

Megjithatë, profesori Spasov është optimist se për ndryshimet kushtetuese do të ketë shumicë prej dy të tretave në Kuvend.

“Mendoj se në fund do të fitojë racionalja. Edhepse nuk ka asnjë racionalitet në këtë sjellje, por kjo është një gjah i vogël i pikave nacionaliste lidhur me atë, që ata i vlerësojnë për konkurrentë të tyre në jetën politike, si BDI-në dhe Besën e Afrim Gashit. Nga këtu vlerësoj se gjahu ndaj këtyre pikëve nacionaliste mund ta komplikojë situatën në parlament gjatë votimit të amendamenteve kushtetuese, por nuk do t’u sjellë dobi serioze në betejën politike.” –deklaron Gjorgji Spasov – Analist politik.

Profesori Spasov, vlerëson se Bilall Kasami dhe Ziadin Sela në njëfarë mënyre i hakmerren Kryeministrit Zaev për shkak se nuk janë pjesë e shumicës. Por, me amendamente plotësuese, vlerëson se dëshirojnë edhe kthimin e të ashtuquajturës “limitimit etnik” të votave në zgjedhjet e ardhshme. Respektivisht kthimin e politikës së ndarjes së votave sipas linjës etnike, e jo sipas konceptit qytetar, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit parlamentare, që sipas Profesorit Spasov nuk është një drejtim i mirë për vendin. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia