Sela: Kandidatura e Rekës fuqizon votën shqiptare
Blerim Reka, kandidat i pavarur presidencial, i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, në tubimin në Strugë, ka riafirmuar angazhimin e tij për integrimin euro-atlantiik të vendit dhe vendosjen e shtetit të së drejtës dhe në këtë rrafsh edhe vazhdimin e punës së Prokurorisë së Posaçme Publike.
Karvani i kandidatit të pavarur, Blerim Reka, ka qëndruar të shtunën në qytetin e Strugës. Reka me këtë rast ka shpalosur platformën e tij lidhur me provlemet dhe sfidat kryesore me të cilat përballet vendi. Në këtë rrafsh ai tha se ka për ta çuar vendin drejt BE-së.
“Para struganëve dërgova porosi universale për republikën e cila është një dhe për të gjithë, në të cilën nuk ka diskriminim në asnjë bazë, as fetare, as etnike. Për një republikë të qytetarëve të barabartë, për një republikë në të cilën sundon ligji, e jo individi dhe për një republikë e cila nuk duron gjyqësi të politizuar, administratë publike me nepotizëm dhe sigurisht nuk do të tolerohen pazarllëqe politike të partive në mënyrë që të hiqet Prokuroria Speciale Publike’ – theksoi Blerim Reka-Kandidat Presidencial
Duke bërë thirrje për votim më 21 prill, kreu i Aleacës për shqiptarët, Ziadin Sela, por edhe ai i Lëvizjes Besa, bënë thirrje për votim mbi baza etnike.
“A e dini se kujt i ndihmon kandidatura e Rekës? Shqiptarëve në Maqedoni, fëmijëve, fuqizimit të votës shqiptare, por edhe atyre që sot nuk janë në mesin tonë dhe mundohen që të përkrahin një kandidat i cili nuk është i yni, nuk fletë shqip, nuk është shqiptar dhe ai do të përballet me përbuzje nga shqiptarët me 21 prill.” –shprehet Ziadin Sela-ASH
“Shqiptarët nuk votojnë Pendarovskin pasi që kanë kandidatin e tyre, ashtu siç maqedonasit nuk votojnë Rekën. Strugan, jemi sot këtu që t’ju tregojmë edhe atyre edhe krejt shqiptarëve se shqiptari është me dinjitet, se shqiptari e ka krenarinë e vetë se shqiptari nuk do të votojë Stevo Pendarovskin. Shqiptari më 21 prill do të votojë numrin 1, do te votojë Blerim Rekën sepse shqiptari do të ruaj nderin e shqiptarisë në Maqedoni” deklaroi Bilall Kasami-Lëvisja Besa.
Kandidati i pavarur Blerim Rreka, që mbështett nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, fushatën presidenciale po e zhvillon nën moton ‘Republikë për të gjithë’. /Klan Maqedonisë/