close

RESHJET E BORËS: POLLOG-VËSHTIRËSI NË QARKULLIM

Autoritetet: Ekipet në terren!


Ditën e sotme në disa qytete të vendit është hasur vështirësi në qarkullim të lirë nga reshjet e borës. Qytetarët ankohen se kompetentët nuk kanë ndërmarrë masa të duhura për situata të tilla, ndërkaq kompetentët shprehen se po punojnë në pastrimin e rrugëve dhe se ekipet e tyre vazhdojnë të jenë në terren.

Qytetarët deklarojnë se komuna nuk ka bërë sa duhet në pastrimin e rrugëve dhe se ka akoma më tepër nevojë për intervenim.

Por nga komuna e Gostivarit deklarojnë se kanë marrë masa për qarkullim të lirshëm gati në çdo vendbanim e sidomos në fshatrat e malësisë. Të njëjtit theksojnë se ekipet janë vazhdimisht në terren që nga mbrëmja e djeshme.

Poashtu, situata ka qenë e njëjta edhe në qytetin e Tetovës. Qytetarët e anketuar deklarojnë se hasin në vështirësi gjatë lëvizjes dhe se rrugët nuk janë të pastruara.

Nga ana tjetër, në një njoftim me shkrim të zëdhënësit të komunës së Tetovës, Armend Falzliu, për Klan Macedonia, thuhet se: Ekipet e shërbimit komunal për mirëmabjtjen e rrugëve që në orët e para të mëngjesit po punojnë për normalizimin e qarkullimit si në qytet ashtu edhe nëpër fshatrat e thella, kryesisht në drejtim të Bozovcës, Vicës e Gjermës. Për shkak se trashësia e dëborës ka mbërritur deri në 90 cm, është angazhuar edhe makineri shtesë me qëllim të hapjes së rrugëve, kryesisht në Malësinë e Sharrit.

Ndryshe, sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike të Maqedonisë, reshje më të rrëmbyeshme të borës do të ketë edhe gjatë natës dhe ditëve në vijim. Nga NP “Rrugët e Maqedonisë” njoftojnë se ndalim-qarkullim i automjeteve të peshave të rënda ka në rrugën Mavrovë-Dibër dhe Kërçovë-Gostivar. /Blerona Jakupi/