close

RESHJET E BORËS: PUSHTETET TË SIGUROJNË QARKULLIM TË LIRË

Qytetarët e dëmtuar mund të padisin komunën


Që kur filluan reshjet e borës, qytetarët kanë hasur vështirësi në qarkurullimin e lirë. Janë ankuar disaherë se kompetentët nuk kanë marrë masat e duhura dhe nuk kanë intervenuar në kohë për pastrimin e borës, gjë që ka sjellë edhe aksidente komunikacioni, si dhe lëndime të qytetarëve. Avokati i Popullit Ixhet Memeti, në një prononcim për Tv Klan Maqedoni, thotë se është e drejtë e çdo qytetari të ketë hapësira të pastra për kalim e që do mirëmbahen në vazhdimësi nga kompetentët.

Obligim i pushtetit qendror dhe lokal është që t’ju sigurojë qytetarëve hapsira të pastra për qarkullim, thotë Ixhet Memeti Avokat i Popullit. Në vend, siç tha ai, kompetentët shumë pak mendojnë për mirëmbajtjen e rrugëve duke ua lënë në dorë qytetarëve këtë obligim.

Nëse si pasojë e neglizhencës së autoriteteve, vjen deri te shkaktimi i aksidenteve apo lëndimeve të këmbësorëve, atëherë çdo person i dëmtuar ka të drejtë të padit pushtetin lokal.

Sinoptikanët edhe për javën e ardhshme parashikojnë reshje të reja të borës, andaj bëhet thirrje që procesi i pastrimit të rrugëve të mos pengohet nga automjetet që parkohen vend e pa vend. Në të kundërtën, siç thonë njoftimet, do të kërkohet edhe asistenca e organeve të rendit për mënjanimin e atyre veturave që do të pengojnë pastrimin e borës. /Lulzime Ameti/