close

RIKER: SHBA GATI TË KYÇET NË DIALOGUN PRISHTINË-BEOGRAD

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit Filip Riker gjatë një forumi në SHBA, ka komentuar situatën aktuale në Ballkan. Duke komentuar zhvillimet mes Beogradit dhe Prishtinës, Riker beson se tek të dy palët ekziston vullneti për zgjidhje.

Ushtruesi i detyrës Zv/Sekretari Shtetëror amerikan i ngarkuar për Evropën dhe Euroazinë Filip Riker ka deklaruar se Uashingtoni është gati të kyçet në procesin e dialogut Serbi – Kosovë, por së pari duhet që dy palët bashkë të vendosin se janë të gatshëm t`i kthehen këtij dialogu. Riker për “Zërin e Amerikës’ ka theksuar se për këtë çështje ka biseduar me Sekretarin Shtetëror Majk Pompeon, siç tha, për shkak se SHBA-të duan të shohin progres.

“Së afërmi bashkëpunojmë me partnerët e BE-së. Unë kam qenë i kyçur në fazën e hershme të dialogut që solli tek Marrëveshja e Brukselit, për të cilën mendoj se bëri një dallim të madh në funksionimin e jetës, vendosjes së dinamikës dhe zvogëlimit të tensioneve në rajon gjatë pesë viteve të kaluara.” –tha Filip Riker-Zv/Sekretari Shtetror për Evropë dhe Euroazi.

Diplomati amerikan Filip Riker që është i ngarkuar për Ballkanin ka theksuar se tek të dyja palët ekziston vullneti për gjetjen e zgjidhjes dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor. Ai si model të zgjidhjes së çështjeve në rajon ka përmendur Marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Inkurajoj Serbinë dhe Kosovën të gjejnë mënyra dhe t`u kthehen negociatave, kurse do të kenë përkrahje të plotë nga SHBA dhe partnerët tanë në Evropë që përmes dialogut të arrijnë deri tek zgjidhja përfundimtare. E di se këtë mund ta bëjnë.” deklaroi Filip Riker-Zv/Sekretari Shtetror për Evropë dhe Euroazi.

Duke komentuar situatën në Shqipëri, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë. Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, ai tha se rruga institucionale është mënyra e vetme për tejkalimin e krizës së tanishme. /Klan Macedoni/

 

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!