close

RINNE: TË HAPEN NEGOCIATAT ME RMV-në DHE SHQIPËRINË

Kryeministri i Finlandës, Antti Rinne, vendi i të cilit merr presidencën e Bashkimit Europian për gjashtë muaj ka deklaruar se shpreson tê hapë negociatat e anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në tetor, nëse të dyja vendet përmbushin kushtet. Këtë deklaratë kryeministri i Finlandës e ka bërë në një konferencë për shtyp pas prezantimit të programit të presidences finlandeze të Bashkimit Europian në seancën plenare të Parlamentin Europian në Strasburg.

Në këtë konferencë, Antti Rinne ka bërë të kuptohet, se edhe pse procesi i zgjerimit vazhdon normalisht, ai nuk përbën një urgjencë për presidencën finlandeze dhe Bashkimin Europian, që ka në fokus çështje thelbësore që shqetësojnë të gjithë qytetarët europianë, si ndryshimet klimaterike dhe ekonomia europiane.

“Në tetor ne do diskutojmë lidhur me procesin e zgjerimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë. Shpresoj, qê nëse këto dy vende përmbushin kushtet, atëherë të vendosim për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE me të dyja vendet. Por çështja e madhe për ne është se Bashkimi Europian duhet t’i përgjigjjet çështjeve që qytetarët europianë konsiderojnê si të rëndësishme, që kanë të bëjnë me ndryshimet klimaterike. Finlanda dhe Gjermania janë shumë të angazhuara për këtë, por kjo është një çështje ku ne të gjithë si shtete anëtare mund të bëjmë më shumë. Ndaj kjo çështje renditet në prioritetet e programit tonë.” –tha Antti Rinne, Kryeministër i Finlandës.

Prioritetet e presidencës finlandeze, që kryeson Bashkimin Europian deri në fund të dhjetorit të 2019 kanë të bëjnë me forcimin e pozicionit të Bashkimit Europian si lider global për masat kundrejt ndryshimeve klimaterike, forcimin e vlerave të përbashkëta dhe shtetit ligjor të kësaj organizate, ta bëjë Bashkimin Europian më konkurrues dhe gjithëpërfshirës në aspektin social, si edhe të forcojë sigurinë e qytetarëve të Bashkimit Europian. /Erisa Zykaj, Bruksel/

 

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!