close

RUSIA TËRHIQET NGA TRAKTATI I FORCAVE BËRTHAMORE

Presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar se Rusia ka pezulluar obligimet e saj që dalin nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi, që njihet me shkurtesën INF, vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan për vendim të ngjashëm. Putin është takuar sot me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe atë të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për të diskutuar lidhur me vendimin e SHBA-së.

Putin e urdhëroi Lavrovin që të mos nisë asnjë bisedim të ri për INF-në me SHBA-në, duke thënë se Moska do të pres përgjigjen e Uashingtonit lidhur me propozimet paraprake të Rusisë për të shpëtuar këtë marrëveshje. Ndërkaq, Putin shtoi se Ministria e Mbrojtjes do të nisë zhvillimin e kapaciteteve të reja të raketave bërthamore, përfshirë edhe raketat supersonike. Traktati SHBA-Rusi, i cili daton nga Lufta e Ftohtë dhe ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës. /Agjencitë/