Ekonomistët: Premtimet e Zaevit njëjtë sikurse të Tupurkovskit dhe Gruevskit
Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi një cikël investimi prej pesë miliarda eurove. Njohësit e cështjeve ekonomike shprehen skeptikë duke marrë parasysh faktin se vendi nuk ka arritur t’i realizojë investimet kapitale që isin parashikuar në buxhet. Ndryshe premtime të këtilla ka pasur edhe më herët. Si shembull merren Vasil Tupurkovski dhe Nikola Gruevski.
Pas një miliarde të Vasil Tupurkovskit dhe tetë miliardave të Nikola Gruevskit, Kryeministri Zaev premtoi një cikël investimi prej pesë milirda eurove. Dy premtimet e para dështuan, kurse sipas njohësve të çështjeve ekonomike në vend, i njëjti fat pritet edhe nga premtimi më i ri i Kryeministrit Zaev. Ai paralajmëroi një sërë projektesh infrastrukturore me qëllim që të ngritet konkurenca e vendit. Nga opozita kanë thënë se bëhet fjalë për një premtim parazgjedhor dhe defokusim të opinionit, kurse lideri i opozitës Mickoski përmes Facebookut madje akuzoi se po përgatitet plaçkitja më e madhe në historinë më të re të Maqedonisë. Nga ana tjetër, Profesori universitar Seadin Xhaferi thotë se bëhet fjalë për premtime joreale që tashmë opinioni i ka parë vite me radhë në Maqedoni.
Ndryshe, në pesë mujat e parë të këtij viti sipas të dhënave të Ministrisë së Financave janë realizuar vetëm 20% të projekteve të parapara kapitale për gjithë vitin, respektivisht janë investuar vetëm 86 milionë euro. Në fillim të vitit u planifikuan investime kapitale prej 391 milionë euro por u shkurtuan për 90 milionë. Ndryshe, para zgjedhjeve lokale të vitit 2009 ish-Kryeministri Nikola Gruevski paralajmëroi një cikël investimesh prej tetë miliardë eurosh, investime për të cilët nuk pati llogaridhënie e as sqarime. Nga ana tjetër Vasil Tupurkovski para zgjedhjeve të vitit 1998 premtoi një miliard dollar investime. Për këtë qëllim Maqedonia pranoi Tajvanin, por nga këto investime nuk pati asgjë. /Blerona Jakupi/