Takimi i së hënës në Berlin, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, përfundoi me pajtimin që të mbahet një takim i ri i të njëjtit format më 1 korrik në Paris, por nuk hapi rrugë për rifillimin e procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte çështja qendrore e diskutimeve.
Në një deklaratë për mediat pas takimit, Presidenti serb Aleksandar Vuciq ka paralajmëruar se bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, që ishin në fokusin e samitit, me një format të zgjeruar dhe me ndërmjetësim të BE-së, Gjermanisë dhe Francës, do të jenë temë e takimit të ardhshëm që do të mbahet pas dy muajve.
“Nuk ka konkluzione formale, e as që u votua për dicka, por bëhet fjalë për marrëveshjen. Rasti tjetër për bisedime rreth vazhdimit të dialogut do të jetë më 1 ose 2 Korrik, në vigjilje të takimit të Procesit të Berlinit në Poloni, pas zgjedhjeve evropiane” – tha Aleksandër Vuçiq, President i Serbisë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi takimin shumë të rëndë, posaçërisht përballjen me delegacionin e Serbisë, që nguli këmbë në heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe të vendosura gjashtë muaj më parë nga qeveria e Kosovës.
Kancelarja gjermane Angela Merkel porositi që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”. Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, tha se nuk do të imponohet zgjidhje për Prishtinën dhe Beogradin.Në përfundimet e takimit, që u publikuan nga qeveria gjermane, thuhet mes tjerash se pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe se një marrëveshje e tillë është thelbësore për rrugën e Serbisë dhe Kosovës në Evropë.
Ata ranë dakord që një marrëveshje e tillë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, politikisht e qëndrueshme dhe të kontribuojë në qëndrueshmërinë e rajonit. Serbia dhe Kosova, thuhet në deklaratë, janë pajtuar për të çuar përpara përpjekjet e tyre për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve, me qëllim të arritjes së një marrëveshje të plotë dhe përfundimtare. /Klan Maqedoni/