close

SARAJEVË: PROCESI I BASHKËPUNIMIT NË EVROPËN JUGLINDORE

Presidenti Stevo Pendarovski do të jetë pjesëmarrës në Samitin e Shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Bëhet fjalë për takim të rregullt të liderëve ku bisedohet për përparimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit.

Në takimin e Sarajevës, ku marrin pjesë delegacione të larta të pjesëmarrësve në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, përfaqësues të BE-së dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, do të bisedohet për tentativat aktuale të integrimeve në BE, aktivitetet e lidhjeve në rajon si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe proceset integruese.  Ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria ka anuluar pjesëmarrjen në samitin e Sarajevës. Cakaj ka thënë se anulimi i pjesëmarrjes bëhet për t’u solidarizuar me Kosovën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi të shtunën se Kosova nuk do të marrë pjesë në këtë samit, për shkak të, siç u shpreh, “ftesës denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim”. Me rastin e këtij Samiti, në Sarajevë do të qëndrojë edhe Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Para vizitës, Erdogan ka deklaruar se Turqia nuk e ka atë luks që prej së largu të ndjek zhvillimet në rajonin e Ballkanit.

Shefi i Departamentit për Komunikime në Zyrën e Presidentit turk, Fahretin Altun, përmes Tuitterit ka publikuar një komunikatë rreth vizitës së Erdoganit në Bosnjë-Hercegovinë, duke rikujtuar se Turqia fuqishëm përkrah procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Altun ka thënë se gjatë vizitës në Sarajevë, Presidenti turk do të ketë takime me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe me liderë të disa vendeve pjesëmarrëse të samitit. /Klan Macedoni/

 

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!