Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” nisin imazhet e para

Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” kanë nisur që të sjellin imazhet për Shqipërinë. Lajmin e konfirmoi këtë të premte, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ai foli për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ku tha se të paktën 4 ditë në javë merren imazhe nga dy satelitët. Më pas këto të dhëna përpunohen nga Agjencia për Informacionin Gjeo-Hapësinor (ASIG).

“Është fillimi. Nga Janari, sapo janë lançuar kemi filluar të marrim imazhet e para. Ne marrim çdo javë, të paktën 4 ditë në javë marrim imazhe nga dy satelitët, të cilat përpunohen nga ASIG, nga Agjencia për Informacionin Gjeo-Hapësinor. Aty kemi staf shumë të mirë, të specializuar. Një nukël që po dedikohet për përpunimet e imazherisë. Do shtohen edhe në numër, edhe trajtimi me pagë do jetë goxha më i lartë. Të gjithë punonjësit IT, do ketë trajtim të posaçëm. Ky nukël merr imazhet satelitore dhe i përpunon ato me gjuhën e përdorshme apo të kuptueshme nga çdo institucion.

Imazhet jo gjithmonë janë të kolauduara. Është ASIG që po specializohet dhe po i përpunon ato. Janë edhe në varësi të motit. Nëse është një mot me re, imazhet nuk janë shumë të përdorshme, por janë periodike, janë të vazhdueshme, çdo javë. Patjetër që na vlejnë (imazhet)”, tha ministri Peleshi.

Aktualisht po veprohet me dy korsi pune. Peleshi shpjegoi se në punën rutinë, fotografohet një shirit prej 5 kilometrash nga veriu në jug derisa të mbulohet me fotografim i gjithë territori i vendit. Më pas, sipas ministrit, do të ketë edhe një korsi tjetër pune, që do të jetë e posaçme. Sipas tij, satelitët do të monitorojnë sipas porosive të institucioneve të ndryshme.

“Kemi dy korsi pune. Një korsi është puna rutinë që do të thotë, çdo ditë bëjmë nga një segment të Shqipërisë fotografi. Teknikisht po e shpjegojmë. Fotografohet një shirit që i bie nga veriu në jug të Shqipërisë, prej 5 kilometrash. Puna rutinë është që marrim një 5 kilometërsh po themi në çdo fotografim derisa të mbulojmë të gjithë Shqipërinë. Pra ne vazhdimisht do të punojmë për imazhin vjetor, po e them kështu, të Shqipërisë, i cili është i përdorshëm nga kushdo, por edhe me detyra specifike. Pra nëse në një zonë të caktuar, gjatë gushtit, Ministria e Mbrojtjes s’ka nevojë të monitorojë Karaburunin, jugun e Shqipërisë, çdo ditë dhe ditë pas dite, ne do ta bëjmë këtë në mënyrë të posaçme. Korsia tjetër janë me porosi nga institucione të ndryshme”, tha Peleshi.

Peleshi shtoi se janë të shumta institucionet, por edhe subjektet private që mund të përdorin këto imazhe.

“Edhe bashkitë mund t’i përdorin imazhet. Në një të ardhme të afërt pasi ta kemi ndërtuar edhe ne vetë atë procedurën se si dhe mënyrën se si, mund ta hapim edhe për investitorët privatë të interesuar. Po themi një fermë e madhe bujqësore mund të ketë nevojë për imazheri satelitore për një proces gjatë një muaji për të parë si shkon në periudhën e sëmundjeve të ndryshme, mund të nxjerrim të dhëna shumë të mira”, tha Peleshi.

Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” u lëshuan në hapësirë në fillim të këtij viti. Nisja e tyre u bë nga Spache Launch Complex nëpërmjet Falcon 9. Kontrata e Shërbimit Satelitor u nënshkrua në fund të muajit Shtator të vitit 2022. Kjo kontratë konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeo-hapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.

Kohëzgjatja e përdorimit të satelitëve do të jetë për një periudhë 3-vjeçare dhe ato do t’i kushtojnë buxhetit të shteti 6 milionë dollarë. Qeveria e ka cilësuar lëshimin e dy satelitëve në hapësirë si një epokë tjetër në funksion të zbatimit të ligjit, dhe në funksion të luftës kundër korrupsionit./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share