close

SELMANI: IVANOV, NXITËS I URREJTJES DHE SHKELËS I KUSHTETUTËS

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), të mërkurën do të vendos për ligjet që nuk u dekretuan nga presidenti në ikje, Gjorge Ivanov, për shkak se në të njëjtat është përdorur emri i ri i shtetit, i cili nuk është i pranueshëm për të. Sipas njohësit të çështjeve juridike, Bashkim Selmani, Ivanov, rolin e tij e ka shndërruar në një degë partiake dhe individuale, duke harruar se është ai përgjegjësi kryesor për stabilizimin e vet shtetit.

Njohësi i çështjeve juridike, Bashkim Selmani thekson se nëse analizohet mënyra e veprimit dhe kompetencave të presidentit aktual të vendit Gjorge Ivanov, i njëjti sipas Selmanit, rolin e tij e ka shndërruar në një degë partiake dhe individuale, duke harruar se është ai përgjegjësi kryesor për stabilizimin e vet shtetit, aspektin legjislativ poashtu edhe atë ndërnacional. 

‘Ishte nxitës i urrejtjes dhe pasojave të tjera. D.m.th paralelisht VMRO-ja në atë kohë aktivizoi edhe qytetarët brenda edhe jashtë, edhe mënyra funksionale, mirëpo atë nacionalizmin individual e ka shndërruar në nacionalizëm presidencial. Dhe kjo është përgjegjësia shumë e lartë. Për arsye se është përgjegjësia morale, ligjore dhe ky publikisht në disa raste kur është dashur ta plotësojë detyrimin kushtetues ai bëri shkeljen e kushtetutës.’- deklaron Bashkim Selmani – Njohës i Çështjeve Juridike.

Selmani deklaron se presidenti Ivanov, ka shfrytëzuar një vakum ligjor, që do të thotë mungesën e afatit në mënyrën procedurale të ligjeve për t’i zvarritur të njëjtat. Ndërkaq, duke komentuar hapjen e lëndëve dhe paditë penale për presidentin nga ana e Prokurorisë Themelore Publike, Selmani shprehet se është dashur të veprohet më herët.

‘Po të ishte bërë kjo padi në kohë, atëherë nuk do vinte tek grumbullimi i këtyre ligjeve, që në këtë rast janë ligje prioritare për sa i përket emblemës së BE-së dhe detyrimisht duhej që të kalojnë. Dhe nuk është vetëm ana ligjore se a do të kalojë apo jo, por është edhe dëmi që i është shkaktuar shtetit, vetë qytetarëve, me vonesat e këtyre ligjeve. Prandaj PTHP-ja duhet të masë edhe dëmin e vet shkaktuar legjislacionit të shtetit, qytetarëve, poashtu edhe në nivelin ndërkombëtar.’ –shprehet Bashkim Selmani – Njohës i Çështjeve Juridike.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike ka hapur lëndë për presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov në të cilën do të veprohet për dy padi penale të denoncuara në lidhje me mosnënshkrimin e Ligjit për gjuhët dhe Marrëveshjes së Prespës.