Profesori universitar Bashkim Selmani, duke komentuar vendimet e gjykatës për rastin e Almirit dhe Sazdovskit, theksoi se në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbizotërojë mentaëiteti antishqiptar, jo vetëm në gjyqësor, por në çdo segment. Sipas tij, këto raste përveç se kanë ngjallur zemërim tek qytetarët shqiptarë, poashtu kanë ngjallur frikë sepse, siç thekson ai, këto raste nënkuptojnë që çdokush mund të jetë i rrezikuar në këtë shtet.
Vendimet e fundit të gjykatave në RMV që lidhen me rastin e Almirit dhe atë të Sazdovskit, ngjallin frikën tek qytetarët sepse ato vendime nënkuptojnë që çdokush mund të jetë i rrezikuar në këtë shtet, deklaron profesori universitar Bashkim Selmani. Sipas tij, këto dy raste kanë ngjallur një zemërim të madh për mentalitetin antishqiptar nëpër institucione, e veçanërisht nëpër gjykata.
‘Ky mentalitet antishqiptar i gjykatësve, ata sikur e kanë institucionalizuar këtë mbjellje. Dënimet kapitale te maqedonasit janë minimale tek shqiptarët janë maksimale. Nuk është vetëm një segment, dhe ky nacionalizëm.. dhe nuk kam besim se do të shërohet ky mentalitet.’- deklaron Bashkim Selmani, Profesor Universitar.
Selmani thekson se faktori politik shqiptar është ai që mban përgjegjësi për mosndryshimin e situatës së shqiptarëve, jo vetëm në sferën e drejtësisë, por në çdo segment tjetër.
‘Faktori politik shqiptar mban një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe. Partitë politike shqiptare deri tani nuk kanë pasur qasje reale edhe pse fatkeqësia ka qenë që shqiptarët kanë pasur edhe ministër të Drejtësisë dhe me këto raste nëse krahasohet masa e shqiptimit të dënimit, kur është në pyetje pala maqedonase shkohet me dënime minimale dhe kur është në pyetje pala shqiptare shkohet në dënime maksimale.’ – shprehet Bashkim Selmani, Profesor Universitar.
Lidhur me vendimet në fjalë, reagime ka pasur edhe nga disa deputetë të cilët drejtësinë në Maqedoni e kanë cilësuar si selektive dhe të korruptuar. Përveç rastit të Almirit dhe Sazdovskit, janë përmendur edhe rastet ‘Sopoti’, ‘Monstrum’, protestat në Gjorçe Petrov etj. /Blerona Jakupi/