close

SERBI: AKSIDENT TRAFIKU – KATËR TË VDEKUR

Në rrugën Kurshumli- Prokuple në afërsi të fshatit Barllovë në komunën Kurshumli ka ndodhur aksident i tmershëm trafiku. Rreth orës 6:40 në mëngjes ka ndodhur aksident në të cilin janë përplasur një autobus dhe një kamion me rimorkio.

Autoritetet serbe kanë njoftuar së në përplasjen fatale, katër persona e kanë humbur jetën, kurse 6 nga udhëtarët e autobusit janë të lënduar rëndë. Në rrjetin social Tuiter mediat serbe publikuan foto në të cilën shihen veturat e përfshira në flakë pas përplasjes, ndërsa në rrugë ka pasur rrëmujë të madhe komunikacioni.

Sipas informacioneve të para, ka ndodhur përplasje direkte në mes autobusit të Nishekspres dhe kamionit me rimorkio. Autobusi ka udhëtuar për në Prokuple, në një moment ka dalë në anën tjetër të rrugës dhe është përplasur me kamionin.

Autobusi është djegur tërësisht, ndërsa brenda ka pasur tre trupa plotësisht të djegur, dy udhëtarë dhe shoferi i autobusit. Shoferi i kamionit, gjithashtu, ka humbur jetën në fatkeqësi.Autoritetet nga spitali i Kurshumlisë thanë se gjashtë persona janë të lënduar rëndë dhe janë dërguar në spitalin në Prokuple. Përndryshe, sipas informacioneve nga policia serbe në autobus ka pasur dhjetë udhëtarë. /Klan Maqedoni/