Ish-presidenti Tadiq thërret prokurorinë të zgjidh dilemën
Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq ka bërë thirrje që prokuoria në Beograd të zbardhë të vërtetën nëse përgjimet në kohën kur ai ishte në ballë të shtetit kanë qenë të ligjshme ose jo. Kërkesa pason akuzat e presidentit aktual serb Aleksandar Vuçiq, se me disa ndërprerje ka qenë i përgjuar mëse 20 vjet, në kohën kur ka vepruar si opozitar.
Nga viti 2004, tetë vjet President i Serbisë, së bashku me ish-kryeministrin e varë, Zoran Gjingjiq, një ndër opozitarët që përmbysën regjimin e Slobodan Milosheviqit, Boris Tadiq këtë të hënë nuk e ka fshehur nervozizmin me pretendimet e javës së kaluar të presidentit aktual Aleksandar Vuçiq, se ka qenë i përgjuar. Si provë për këtë, ky i fundit nxori në publik edhe dokumente që mbanin siglën ‘Sekret shtetëror’. Sipas Tadiqit, Vuçiqi nuk ka qenë i përgjuar, por kur ka hyrë në rrjetet e spiunëve të huaj dhe të ekstremistëve në vend.
‘Ai, atëherë, kur ka hyrë në masat e përgjimit ishte qytetar i zakonshëm dhe anëtar i opozitës. Pra, ai nuk është përgjuar. Ndërkaq kur ai më ka përgjuar mua në bisedimet me Tomislav Nikoliqin, unë kam qenë president i shtetit,’ – tha Tadiq duke bërë të ditur se shteti, në fillim të këtij shekulli, e kishte identifikuar Vuçiqin si ekstremist politik dhe organizator të mundshëm të njësive ushtarake paramilitare.
Boris Tadiq që aktualisht është në krye të një partie të vogël ka bërë thirrje që organet e drejtësisë të zgjidhin të vërtetën se kush kë e ka përgjuar:
‘I bëj thirrje Prokurorisë të nisë procedurën dhe të dalë në publik e të tregojë se kush kë e ka përgjuar dhe kur? Nëse unë e kam shkelur ligjin, të nis hetimet penale kundër meje. Nëse Vuçiqi ka shkelur ligjin, menjëherë të bëj kallëzim penal dhe hetime kundër tij’.
Aktualizimin e aferës së përgjimeve, edhe në skenën politike serbe, njohësit e rrethanave në Beograd e vendosin në funksion të përgatitjes së vendit për zgjedhje të reja për të cilat opozita serbe ka një mori parakushtesh. Kjo për shkak të bindjes se presidenti Vuçiq thuajse kontrollon gjithçka. /Klan Macedoni/