close

SERBI: PROTESTA ANTIQEVERITARE

Kërkohet që vrasësi i Ivanoviqit t’i dorëzohet Kosovës


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar ashpërsim të masave për luftimin e krimit dhe të korrupsionit duke bërë të ditur edhe parashikimin e burgimit të përjetshëm. Në të njëjtën kohë në Beograd dhe disa qytete të tjera kanë vazhduar protestat antiqeveritare me kërkesa për Presidentin që të zbardhë planin për Kosovën, por edhe që t’u jap fund sulmeve kundër kundërshtarëve të tij politik dhe medias.

Në Serbi po përshkallëzohet vala e protestave antiqeveritare. Disa mijëra demonstrues kanë kërkuar të shtunën në mbrëmje, në Beograd dhe disa qytete të tjera, më shumë liri mediatike dhe hapësirë në servisin publik, Radiotelevizionin shtetëror, dhënies fund të përndjekjes së kundërshtarëve politik si dhe zbulimin e urdhërdhënësve të sulmeve kundër politikanëve të opozitës dhe gazetarëve, por edhe të vrasësve të Oliver Ivanoviqit, njëri ndër liderët e serbëve në Kosovë. Me këtë rast në shënjestër është vënë presidenti Aleksandar Vuçiq

Vuçiq, e ke njohur sistemin kosovar të drejtësisë. Nëse e ke njohur, dorëzoja Milan Radoiçiqin Prishtinës. Mos e fsheh nëpër Beograd. Mos bëj nga Beogradi shtëpi të sigurt për kriminelët dhe mafian,’ – tha Rada Trajkoviq, një ish-politikane në Kosovë nga koha e regjimit të Milosheviqit.

Në të njëjtën kohë, presidenti Aleksandar Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nuk ka dashur të flasë shumë për Kosovën, por ka paralajmëruar reformë në sistemin e drejtësisë me qëllim të forcimit të luftës kundër krimeve dhe korrupsionit. Vuçiqi tha se për këtë qëllim do të vendoset edhe masa sanksionuese e dënimit të përjetshëm.

“Pres mbështetje nga Bashkimi Evropian. Përse ka Gjermania burg të përjetshëm dhe vetëm ne në Ballkan nuk e kemi një gjë të tillë. Nuk ka Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Serbia e këto vende. Duam të kemi një masë të mos i bie ndërmend askujt të bëj krime”.

Të premten,policia serbe arrestoi rreth 150 persona si të dyshuar për implikim në krim të organizuar dhe korrupsion, ndërkohë që opozita thotë se është pikëisht qeveria e presidentit Vuçiq ajo që po e bën vendin pa kurrfarë perspektive. /Seladin Xhezairi/