close

SERBIA AKUZON MILAN KUÇANIN PËR KRIME LUFTE!

Ish-presidenti ‘kryefajtor’ për shpërbërjen e Jugosllavisë


Sipas të përditshmes serbe Politika, Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka ngritur aktpadi ndaj ish-presidentit të Sllovenisë Milan Kuçan duke e akuzuar atë për konfliktin e armatosur mes forcave që angazhoheshin për shkëputje nga Jugosllavia dhe ushtrisë e policisë jugosllave.

78-vjeçari Milan Kuçan, ish-lideri komunist slloven dhe në dy mandate – President i Sllovenisë. Në hapësirat ish-jugosllave njihet si një ndër politikanët që doli botërisht kundër kursit politik të Slobodan Milosheviqit, shkëlqimi i të cilit nisi me veprime që çuan në suprimin e autonomisë së Kosovës, luftën atje dhe që përfundoi me dërgimin e tij në Gjykatën e Hagës.

Këtë të enjte, sikurse njofton e përditshmja Politika e Beogradit, Prokuria serbe për krime të luftës, kundër zotit Kuçan, por edhe pesë sllovenëve të tjerë, ka bërë kallëzim penal për gjoja krime lufte mbi robërit e luftës dhe për gjenocid në verën e vitit 1991, kur nga 27 qershori e deri më shtatë korrik u zhvilluan konflikte të armatosura në territorin e Sllovenisë, mes forcave që luftonin për shkëputje nga Jugosllavia, nga njëra anë dhe ushtrisë e policisë jugosllave, nga ana tjetër.

Avokati Dushan Bratiq ka bërë të ditur se aktakuza e ngarkon zotin Kuçan se si president i Sllovenisë kishte pasur pushtetin efektiv komandues mbi formacionet e armatosura dhe si i tillë radhitet, sikurse tha ai, ndër kryekriminelët e shpërbërjes së Jugosllavisë.

Duke folur këto ditë për një televizion të Sarajevës, trasmeton Klan Macedonia se zoti Kuçan, tri dekada pas fillimit të shpërbërjes së ish-federatës jugosllave, i pyetur se si e shikonte rolin e tij, la të kuptohet se nuk ishte bërë pishman:

‘Për çka ndjehem përgjegjës? Ndjehem përgjegjës pse nuk munda të të fitoj sa duhet me argumente se atij vendi që quhej Jugosllavi i kishte ardhur fundi dhe se duhej të merremi vesh për një epilog paqesor,’- tha Kuçan duke rikujtuar se edhe Mbretëria Serbo- Kroato- Sllovene, edhe Jugosllavia e Titos ishin krijes artificial. Shpërbërjen e kësaj të fundit, tha ai e përshpejtoi Armata e atëhershme jugosllave, por edhe Akademia Serbe të Shkencave dhe Arteve, përmes Memorandumit të saj.

Milan Kuçan para shkatërrimit të Jugosllavisë ishte në ballë të Lidhjes së Komunistëve të Sllovenisë, dhe kryetar i Presidencës së kësaj republike. Pas pavarësimit më 1991 e deri në vitin 2002, në dy mandate ishte në postin e Presidentit të vendit. /Klan Macedonia/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!