close

SFIDAT E ZBATIMIT TË TRAKTATIT TË MIQËSISË SHKUP-SOFJE

Përpjekjet për implementimin e Traktatit të Miqësisë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, të firmosur para dy vjetësh, duket se kanë për të përkeqësuar marrëdhëniet mes Sofjes dhe Shkupit zyrtar. Ish-presidenti bullgar, Georgi Përvanov, ka deklaruar se arsyet për këtë duhet kërkuar në atë që ai e ka quajtur mungesë e mandatit të qartë të Komisionit të përbashkët të historianëve nga të dyja vendet. Problemi i parë në këtë rrafsh është paraqitur çështja e Goce Dellçevit i cili trajtohet si figurë kombëtare e përkatësisht – maqedonasve dhe bullgarëve.

Ish-presidenti bullgar, Georgi Përvanov, është treguar pesimist se komisioni i përbashkët i përbërë nga historianët e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut do t’ia dalin të sheshojë dallimet që ekzistojnë kur është fjala për çështje historike dhe arsimore.

“Unë jam skeptik për punën e Komisionit për një arsye të thjesht: Ky Komision nuk ka një mandat të qartë. Krahasonie me atë që u arrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut: Në një marrëveshje gjithçka është precizuar deri në detajin e fundit, në marrëveshjen politike, në dokumentet diplomatike,’– ka deklaruar Përvanov për Televizionin Kombëtar të Bullgarisë duke kërkuar, fjala vjen, shpjegim se çfarë do të thotë koncepti i një ‘historie të përbashkët’ mes Shkupit dhe Athinës.

Rezultat i këtyre dallimeve është përshkallëzimi i debatit se çfarë ishte Goce Dellçevi: bullgar, sikurse pretendon historiografia e Bullgarisë, apo maqedonas, sikurse këmbëngulin historianët maqedonas? Sofja zyrtare propozon, fjala vjen që përkujtimi i veprimtarisë së kësaj figure të rëndësishme nga fundshekulli XIX të bëhet në ditëlindjen e tij, kurse Shkupi propozon shtatë tetorin kur eshtrat e tij u bartën për t’u varrosur në Shkup.

Të parët e trajtojnë si hero kombëtar, ndërsa të dytët si luftëtar të pakompromis të shtetit të pavarur maqedonas.

Tv Klan Macedonia rikujton se Komisionin i përbashkët bullgaro-maqedonas ka për detyrë që të tejkalojë dallimet për të ashtuquajturat pika të debatueshme nëpër librat e historisë e të gjeografisë në të dyja vendet që datojnë nga histopria më e hesrhme-nga iluministët sllavë Kirili dhe Metodi e deri tek figurat veprimtaria atdhetare e patriotike e të cilave shtrihet, madje edhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Rrjedhimisht, Traktati i Miqësisë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë u firmos më një gusht të vitit 2017 dhe ishte ndër hapat e parë të vendosmërisë së kryeministrit properëndimor Zoran Zaev për të zhbllokuar procesin e integrimit euro-atlantik të vendit, vendosmëri kjo që u vazhdua me Marrëveshjen e Prespës me Greqinë. Dy veprime të cilët bënë që Maqedonia, sot me emër të ri – Republika e Maqedonisë së Veriut, të jetë shumë afër hyrjes në NATO dhe çeljes së negociatave për anëtarësim me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Për hir të së vërtetës për zbatimin e të dyja marrëveshjeve vëzhguesit thonë se problemet dhe sfidat më të mëdha, për arsye të njohura, i përkasin palës maqedonase. /Seladin Xhezairi/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!