close

SHËNOHET DITA E MINATORËVE

Minatorët e RMV-së para sfidave të shumta


Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, ministra nga qeveria, por edhe përfaqësues të opozitës sot ishin në mesin e minatorëve në shënimin e përbashkët të ditës së minatorëve. Nevojat, siguria si dhe kushtet dinjitoze për punë janë një pjesë e temave kyçe për zhvillimin e kësaj dege në vend.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski së bashku me ministrin për Ekonomi Kreshnik Bekteshi dhe ministren për Punë dhe Politikë Sociale Milla Carovska sot e vizituan minierën SASA dhe së bashku me banorët e Makedonska Kamenicës e shënuan ditën botërore të minatorëve.

“Së pari dua t’ua uroj ditën e minatorëve 28 gushtin, që është njëkohësisht edhe dita e Komunës së Makedonska Kamenicës, ndërsa të krishterëve ortodoksë ua uroj festën e Shën Mërisë. Sot jemi në vizitë të një prej kompanive më të suksesshme në vendin tonë, jo vetëm sepse është një nga motorët e zhvillimit ekonomik në Maqedoninë lindore, por kompania SASA i ruan standardet më të larta ekologjike.” -tha Stevo Pendarovski, Presidenti i RMV-së.

Puna juaj e mundimshme është motivim për të gjithë ne! Kështu sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Lupço Nikollovski së bashku me ministrin për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të ujërave Trajan Dimkovski dhe ministrin për Punë të Brendshme Oliver Spasovski i përshëndetën minatorët në Kriva Pallankë. Lideri i opozitës Hristijan Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk ua uroi ditën e minatorëve. Mickoski në mesazhin e tij thotë se duhet të punohet në sigurimin e kushteve dinjitoze për punë të të gjithë minatorëve.

“Urime dita e minatorëve. Urime për ata që me mund, me punë dhe me duart e tyre krijojnë për vete dhe për familjet e tyre. Jashtë imazhit rozë të krijuar nga qeveria, duhet të punohet në sigurimin e kushteve dinjitoze për punë të minatorëve maqedonas.”-deklaroi Hristjan Mickoski, VMRO DPMNE.

Me rastin e ditës së minatorëve, por edhe shënimin e përvjetorit të 40-të të minierës Buçim kryeministri Zoran Zaev ishte në mesin e minatorëve në Radovish. Përndryshe, xehetaria në Maqedoni merr pjesë me 1% në Bruto Prodhimin Vendor, ndërsa rreth 9,5 deri 10% në prodhimtarinë industriale. Eksporti total nga minierat i metaleve të ngjyrosura është rreth 160 milionë dollarë, ndërsa importi rreth 60 milionë dollarë. Raporti i importit dhe eksportit te lëndët e para jometalike është shumë më negative. /Verica Dimitrijevska/