close

 SHËNOHET DITA E PAVARËSISË

Zaev: Nuk varet gjithçka nga politikanët, qytetarët e formojnë shtetin


28 vite pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë, vendi është mik me të gjithë fqinjët dhe shembull në Evropë për bashkëpunim dhe përkushtim. Kryeministri Zoran Zaev në manifestimin në Shkup shtoi se është në veçanti i kënaqur nga politika në vend – për “një shoqëri për të gjithë”, si dhe nga realizimi i qëllimit strategjik – anëtarësimi në NATO dhe e ardhmja e sigurt evropiane, siç tha, duke pritur negociata për anëtarësim muajin e ardhshëm. Por lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, edhe sot vlerëson se jeta në Maqedoni “po bëhet ferr”.

“Urime qytetarë, urime popull, kemi ndërtuar shoqëri unike, kemi ngritur shtet stabil, qoftë e përjetshme Dita e Pavarësisë, të jetojë Republika e Maqedonisë së Veriut.”

Këtë urim ua drejtoi kryeministri Zoran Zaev qytetarëve, në manifestimin e qeverisë në Shkup, së bashku disa qindra qytetarë, në 28-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Maqedonsië. Ai vlerësoi se shteti përparon, e kapi trenin e fundit për të ardhme prosperuese, anëtarësimin në NATO dhe një hap afër negociatave me Bashkimin Evropian, në tetor, siç theksoi, duke u bërë thirrje qytetarëve secili të përpiqet për formimin e të ardhmes së shtetit.

“Nga një shtet me shumë probleme dhe marrëdhënie të këqia me të gjithë fqinjët, sot jemi shembull pozitiv, model të cilin të tjerët duan ta ndjekin, krenari evropiane, i zgjidhim problemet, nuk ikim prej tyre. Krijojmë marrëdhënie të reja me fqinjët, jemi miq me të gjithë, e përforcojmë bashkëpunimin. Republika e Maqedonisë së Veriut njihet si frymëzim për një Ballkan të ri.”- deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Derisa Zaev përshëndetej dhe fotografohej me qytetarët në parkun e qytetit, i shoqëruar nga më shumë ministra nga kabineti i tij, kundërshtari i tij politik, lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, njoftoi se festën e ka pritur në lartësi mbidetare prej 2800 metrash, në majën e malit Korab, prej ku publikoi një fotografi në Fejsbuk. Këtë moment për shtetin e vlerëson si “mot i keq kur jeta bëhet ferr”. Në video – mesazhin e mbrëmshëm Mickosi theksoi.

“8 Shtatori është edhe i komitëve edhe i partizanëve, i njerëzve të mençur të VMRO-së, por edhe të LSDM-së, i atyre që besojnë në Maqedoni dhe betohen për këtë copë dhe. Askush nuk duhet të ëndërrojë për shtete të mëdha të huaja. Kjo është shtëpia që na ka dhënë gjithçka. Ky është vendi që i ka rritur, i ka shkolluar dhe i ka bërë ajo që janë. E vetmja Republika e Maqedonisë. Gëzuar ditëlindjen Maqedoni.” –shprehet Hristjan Mickoski, VMRO DPMNE.

Por, pas pothuajse tri dekada pavarësi, një nga sfidat kryesore, deri tani të pakapërcyera për Maqedoninë mbeten sundimi thelbësor i së drejtës, zvogëlimi i korrupsionit dhe thellimi i demokracisë. Sipas Zaev përgjegjësia nuk është vetëm e politikanëve, por si duket jo të gjithë pajtohen me të.

“Sistemi gjyqësor është askund, krimi lulëzon, çfarë të them më shumë. Politikanët kanë përgjegjësi, qytetarët në asnjë mënyrë. Nga viti 2006 e këndej është katastrofë. Nuk ka asnjë përmirësim.”- thekson njëri nga qytetarët.

“Punët ecin mirë, ka problem, ka pengesa, por më shumë më pëlqen kjo periudhë. Në çdo shtet ka më shumë rryma, njëra që dëshiron të mirën e popullit, të tjerat janë me nevoja tjera, joligjore. Vështirë shkon, por megjithatë do të arrjmë deri të shteti i së drejtës.” -vlerëson një qytetar.

Derisa nga skena në parkun e qytetit dëgjoheshin porositë e politikanëve dhe programi festiv, përreth sportistë, aktivistë, prindër dhe fëmijë festonin në mënyrë spontane. Festa e Pavarësisë e Maqedonisë u kthye në një piknik të madh, në një ditë me diell shtatori. /Biljana Georgievska/