close

SHËNOHET ‘PRANVERA E DINJITETIT’

Me një minutë heshtje në kalanë e qëndresës në fshatin Sellcë të Tetovës filloi manifestimi tradicional “Pranvera e Dinjitetit” për nder të të rënëve në luftën e vitit 2001 në Malësinë e Tetovës. Të pranishëm në manifestim ishin figura të njohura politike, invalidë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe të tjerë.

Zv.kryeministri Hazbi Lika deklaroi se është e vështirë të flasësh pas kaq vitesh para njerëzve dhe familjarëve të cilët humbën më të dashurit dhe për t’iu dhënë të njëjtëve llogari për atë se çfarë është arritur deri më sot.

Ish-komandanti i UÇK-së, Rafiz Aliti theksoi që ka pasur shqetësime tek bashkëluftëtarët sa i përket formimit të një ministrie që do të avancojë implementimin e M0-së.

I pranishëm poashtu, ishte edhe ish-luftëtari nga Kosova, Komandant Bedi i cili theksoi se ishte aty për të kujtuar sakrificën dhe luftën që bënë të gjithë ushtarët në emër të atdheut.

 18 vjetori i shënimit të luftimeve të para në kalanë e Tetovës vijoi me homazhe tek varrezat e dëshmorëve.  /Blerona jakupi/